Me thirrje të re tre milionë euro për projekte për bashkëpunim ndërkufitar me Kosovën

Shkup, 23 shkurt – Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Goran Milevski dhe ministri i Zhvillimit Rajonal të Kosovës, Fikrim Damka sot realizuan takim pune në të cilin i shqyrtuan zgjidhjet konkrete të cilat mund t’i ndërmarrin sa i përket realizimit të Memorandumit për bashkëpunim të cilin të dyja shtetet e nënshkruan vitin e kaluar. Është paralajmëruar thirrje e re në vlerë prej tre milionë euro për projekte të cilat do të kontribuojnë për zhvillim rajonal dhe bashkëpunim ndërkufitar.

“Ne si dy shtete bashkëpunojmë mes vete në zhvillimin rajonal që në vitin 2010 me IPA 1 dhe IPA 2 Programin për bashkëpunim ndërkufitar. Deri më tani janë zbatuar 20 projekte, prej të cilëve 18 plotësisht, ndërsa dy janë në fazë të zbatimit në vlerë prej 7,4 milionë euro. Për këtë periudhë të gjatë ndoshta nuk janë mjete të mëdha, për këtë kah mesi i marsit do të publikojmë edhe një thirrje të re në vlerë prej tre milionë euro”, tha Milevski në konferencën e sotme për media.

Në kuadër të thirrje së tretë, ministri u bëri thirrje të gjitha komunave, organizatave joqeveritare dhe të gjitha institucioneve të cilat kanë mundësi që të aplikojnë, t’i përgatisin projektet e tyre në sferën e mbrojtjes së mjedisit jetësor, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin e turizmit në këtë rajon ndërkufitar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Ai shtoi se është i kënaqur që falë instrumentit IPA të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, është rikonstruktuar edhe vendkalimi kufitar Bellanoc – Stançiq.

Ministri i Zhvillimit Rajonal të Kosovës, Fikrim Damka, paralajmëroi se do t’i shqyrtojnë mundësitë për zbatim të projekteve nga Bashkimi Evropian me bashkëpunim ndërkufitar të të dyja vendeve dhe do t’i ndajnë praktikat e mira të cilat do t’i zbatojnë të dyja ministritë.

Damka theksoi se qëllimi i të dyja ministrive është që ta përmirësojnë cilësinë e jetesës së qytetarëve të të dyja vendeve.