Më shumë se 500 viktima nga përmbytjet në Pakistan
Më shumë se 500 njerëz kanë humbur jetën në vërshimet e mëdha në Pakistan, si pasojë e shirave të dendur që gjatë javëve të fundit kanë përfshirë provincat jugperëndimore të vendit.
Agjencia kombëtare për menaxhim me kriza njoftoi për 502 viktima nga të cilat 98 ishin gra dhe 191 fëmijë.
Në përmbytjet janë dëmtuar më shumë se 40 mijë objekte banimi, si dhe më shumë se 2.500 kilometra rrjet rrugor, duke lënë mijëra njerëz pa kulm në kokë, më së shumti në zonat e largëta rurale.
Më të prekur nga stuhia janë provincat Baloçistan dhe Sind, të cilat janë goditur nga reshjet ekstreme që besohet se janë pjesërisht pasojë e ndryshimeve klimatike.
Miliona njerëz, mes tyre edhe një numër i madh i fëmijëve janë nën rrezik të paraqitjes së sëmundjeve ngjitëse nga uji, në kushte kur shteti i angazhon të gjitha resurset për të ofruar ndihmë në zonat e prekura, si dhe të ndihmojë në evakuimin e njerëzve nga zonat e largëta.
Të dhënat statistikore tregojnë për fatkeqësi natyrore të shpeshta në Pakistan viteve të fundit, nga reshjet e dendura të ndjekura nga përmbytjet e deri te temperaturat ekstreme me periudha të thata, si dhe përkeqësim të dukshëm të cilësisë së ajrit për shkak të ndotjes nga smogu.

