Me çfarë probleme përballet Gjykata Kushtetuese? Krerët shtetërorë takojnë Kacarskën
Shkup, 30 maj – Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Dobrilla Kacarska sot do të mbajë takim pune me kryesinë shtetërore për të diskutuar për problemet me të cilat ballafaqohet Gjykata, duke qenë se ajo punon pa katër gjyqtarë dhe nuk ka shumicë për vendimmarrje për nisma dhe raste të caktuara.
Në takimin në Gjykatën Kushtetuese, të iniciuar nga Kacarska, janë ftuar presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Pas takimit, siç njoftoi Gjykata Kushtetuese, është caktuar konferencë për media.
Gjykata Kushtetuese aktualisht funksionon pa katër gjyqtarë të cilëve u skadon afati, nga nëntë gjyqtarë të planifikuar. Ka rreth një vit që nuk ka përfunduar mandati i tre gjyqtarëve – Sali Murati, Elena Gosheva dhe Nikolla Ivanovski – në fund të majit të vitit të kaluar. Gjyqtarit Jovan Josifovski në mesin e muajit janar të këtij viti i ka përfunduar mandati.
Komisioni kuvendor për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, gati një vit pasi Gjykata Kushtetuese po punon me numër të reduktuar gjyqtarësh, më 13 maj filloi procedurën për zgjedhjen e gjyqtarëve të rinj kushtetues.
Janë propozuar nëntë kandidatë. Deputetët nga pushteti propozuan prokurorin publik republikan Ljubomir Joveski, gjyqtarin civil në Gjykatën e Apelit në Shkup Fatmir Skender dhe Tanja Vasiq Bozaxhieva e cila punon në Ministrinë e Drejtësisë si këshilltare shtetërore për legjislacion civil.
Deputetët e opozitës VMRO-DPMNE propozuan gjashtë kandidatë: profesorët universitarë Savo Klimovski dhe Rodna Zhivkovska, gjyqtari në pension Branko Sekulovski, prokurori Todor Vitlarov, gjyqtari i Gjykatës Administrative Vesna Jovanovska dhe Vojisllav Dimovski, prokuror publik i Ohrit.

