Më 7 prill do të publikohet aktgjykimi për “Aleancën ndërkombëtare”

Shkup, 18 mars – Vendimi i gjykatës për lëndën “Aleanca ndërkombëtare” në të cilën i akuzuar i parë është Bojan Jovanovski – Boki 13 do të publikohet më 7 prill 2022, informoi sot gjykatësja Sofçe Gavrillova – Efremova pas fjalëve përfundimtare të Jovanovskit, i cili, nga ana tjetër, i propozoi gjykatës të mos gjykohet për figurën dhe veprën por për provat.

“Nga ajo që është thënë deri më tani, në mënyrë të pakontestuar u vërtetua se vepra penale nuk është kryer, pasi nuk ka pasur as motiv dhe as ide, thjeshtë kemi punuar që të realizohet projekti. I propozoj gjykatës që vendimin ta bazojë në dëshmi dhe të largohet nga spekulimet. Propozoj në tërësi të sjellë aktgjykim për lirim për aktakuzën dhe bëj apel dhe lutem për aktgjykim të ligjshëm. Të mos e gjykojnë figurën dhe veprën time, të gjykojnë provat. Ndjehem krejt i pafajshëm”, theksoi në fjalët përfundimtare Boki 13.

Ai u përqendrua edhe në aktakuzën për deputeten e mëparshme të LSDM-së Frosina Remenski, për të cilën, siç tha, “Frosina edhe sikur të ketë dashur të më ndihmojë, është pamundësuar nga shokët partiakë lakmitarë”.

Gjatë thënies së fjalëve përfundimtare, gjykatësja Gavrillova – Efremova disa herë e paralajmëroi Jovanovskin që të qëndrojë në fjalët përfundimtare që kanë të bëjnë me provat e dhëna, dhe siç tha, kjo është hera e fundit që e ka paralajmëruar.

Jovanovski iu kthye duke thënë se shpreson se këto paralajmërime të gjykatëses janë vetëm sot dhe e luti “që ta durojë edhe sot”.

Seanca e parë për këtë lëndë u mbajt më 1 korrik 2020. Sipas aktgjykimit, të akuzuarit i kanë mashtruar biznesmenët Siljan Miceski dhe Adrian Amzoski se do të marrin pjesë në një projekt përmes “Aleancës ndërkombëtare” të Bojan Jovanovski – Boki 13 dhe i kanë dëmtuar me më shumë mijëra euro.

I akuzuari i parë në këtë lëndë është Bojan Jovanovski – Boki 13, i cili sipas aktgjykimit është i akuzuar për vepra penale “mashtrim dhe larje parash”.

Të akuzuar në këtë rast janë edhe ish-deputetja e radhëve të LSDM-së, Frosina Remenski, Mile Jovanovski, babai i të akuzuarit të parë Bojan Jovanovski dhe Jasna Mandiq – Ercegoviq. E akuzuara Remenski ngarkohet për veprën penale “ndihmesë në veprën mashtrim”, Mandiq për “ndihmesë në mashtrim dhe larje parash” ndërsa Mile Jovanovski ngarkohet për “ndihmesë në larjen e parave” dhe për “përpunimin e paautorizuar, mbajtjen, ndërmjetësimin dhe tregtimin me armë”. Si person juridik akuzohet edhe organizata joqeveritare “Aleanca ndërkombëtare”.