Më 7 korrik mblidhet BE-ja, çështjet e Ballkanit Perëndimor do të jenë pikat e diskutimit

Bruksel, 2 Korrik – Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria më datë 7 korrik mund të marrin vendimin e madh drejt nisjes së negociatave me Bashkimin Evropian, kjo pasi pikërisht në atë datë do të ndodh mbledhja e 27 ambasadorëve të BE-së të cilët do të diskutojnë çështjet aktuale të Unionit.

Lajmin për mediat në Shqipëri e ka bërë të ditur, gazetarja Erisa Zikaj e cila nga Brukseli informoi mbi kronologjinë e ngjarjeve për Ballkanin Perëndimor.

“Jemi të informuar se presidenca çeke, ashtu si edhe ajo franceze, është e përkushtuar për avancimin e marrëveshjes mes Bullgarisë dhe Maqedonisë për propozimin e fundit dhe përfundimtar të paraqitur nga presidenti francez Emmanuel Macron. Më datë 7 korrik është mbledhja e 27 ambasadorëve të BE-së dhe pritet që hapja e negociatave të jetë njëra ndër temat. Nëse ky finalizim bëhet brenda pesë ditëve, atëherë presidenca çeke do të vendosë pa humbur kohë për çështjen e kornizave të negociatave me dy vendet në axhendën e takimit të ambasadorëve të përhershëm të Bashkimit Evropian. Më tej, ky vendim mund të kalojë në një procedurë të përshpejtuar me shkrim, siç ndodhi gjatë periudhës së pandemisë me një sërë vendimesh që nuk mund të merreshin me praninë fizike të Ministrave për Çështjet Evropiane, Punë të Jashtme apo fusha të tjera. Pra, nuk ka nevojë të mbahet një takim i posaçëm i 27 ministrave për çështjet evropiane për të caktuar datën e mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare me dy vendet, e cila shënon edhe hapjen zyrtare të negociatave me ta”, tha gazetarja nga Brukseli.

Zukaj u shpreh se nga burime nga presidenca çeke është mësuar se Praga është e përkushtuar që t’u japë një nxitje vendeve të Ballkanit Perëndimor, sepse BE-ja dëshiron të jetë më e fortë dhe më e bashkuar, sepse në kontinent po zhvillohet një luftë.

Nëse hapet rruga për hapjen e negociatave zyrtare për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë, atëherë do të vazhdojë diskutimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe do të shqyrtohet kërkesa e Bosnjës dhe Hercegovinës për statusin e vendit kandidat.

Pas 7 korrikut, një moment i rëndësishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor do të jetë samiti i tetorit për Komunitetin Politik Evropian, në të cilin do të ftohen shumë vende, përfshirë edhe ato të rajonit.