Mbrojtja e gazetarëve nuk është prioritet për deputetët

Shkup, 26 Prill – gazetarët për faktin që janë pjesë e pushtetit të katërt shpesh herë neglizhohen e nuk mbrohen nga tre pushtet tjera: legjislativ, ekzekutiv e gjyqësor. Gazetaria si profesioni më fisnik është ndër më të vështirët për tu realizuar në vendin tonë, janë ato që përballen çdo ditë me probleme të shumta, e që më të vështirat janë kur marrin kërcënime, sulmohen duke tentuar të heshtet puna e tyre, shkruan Zhurnal.

Gjitha raportet ndërkombëtare alarmojnë për rastet e sulmeve fizike dhe verbale ndaj gazetarëve, por kjo nuk është se i shqetëson aktorët politik në vend sepse ende nuk kanë ndërmarrë aktivitete për përmirësime në këtë drejtim.

Në mungesë të ligjit që parasheh dënime më të ashpra për sulme të këtilla, rreziku e niveli i pasigurisë për gazetarët vazhdon të mbetet i lartë.

Propozim ligji për Kodin Zgjedhor, ku bëjnë pjesë edhe ndryshimet sa i përket sulmeve ndaj gazetarëve ende nuk ka kaluar në Kuvend dhe as nuk është shqyrtuar nga komisioni amë. Edhe pse këtë propozim ligj Qeveria ia ka dorëzuar Kuvendit që nga muaji korrik i vitit të kaluar, ai ende nuk i ka kaluar filtrat e nevojshme për miratim.

Kjo i bie që për Kuvendin e deputetet nuk është prioritet siguria e mbrojtja e gazetarëve, sepse një propozim ligj ngel në sirtarë të Kuvendit pothuajse më shumë se një vit.

Me ndryshimet dhe plotësimet e Kodit Zgjedhor, të iniciuar nga SHGM dhe sindikata e gazetarëve, u përfshin kërkesat për mbrojtje sistematike të gazetarëve dhe punonjësve mediatik, me atë që sulmi ndaj gazetarëve dhe punonjësve mediatik do të trajtohen si sulm ndaj personit zyrtar, që do të thotë se Prokuroria Publike do të veprojë sipas detyrës zyrtare, ndërsa dënimet ndaj sulmuesve do të rriten.

Në raportin e fundit të Komisionit Evropian, thuhet se rastet e dhunës fizike dhe verbale dhe kërcënimet ndaj gazetarëve dhe punonjësve mediatik janë rritur, derisa kushtet e tyre të punës, posaçërisht të drejtat e punëtorëve dhe sociale, mbeten të vështira.

Në raport theksohet edhe statistikë në lidhje me sulm ndaj gazetarëve. Në vitin 2020 në Ministrinë e Brendshme janë regjistruar 10 raste të frikësimit të gazetarëve, ndërsa SHGM regjistroi 2 sulme fizike dhe 12 forma të ndryshme të kërcënimeve verbale me jetë dhe frikësime të tjera. Në fillim të vitit 2021, gjithashtu është regjistruar një sulm fizik dhe një kërcënim me jetë.

Propozohen draft – ndryshime të Kodit Penal, me qëllim që të përforcohet mbrojtja e gazetarëve dhe punonjësit e tjerë mediatik me vendosjen e tyre në grupin e profesioneve do të marrin mbrojtje kur do të ekspozohen në sulme dhe kërcënime për shkak të natyrës së punës së tyre.

Puna e gazetarit është e rëndësishme, bazike e jetike sidomos për vendet të cilat pretendojnë të jenë vende demokratike kuptimplota. Sepse në një vend në çfarë gjendje janë mediat kuptohet se në çfarë niveli është edhe zhvillimi demokratik.

Për Maqedoninë e Veriut si vend që është në tranzicion është më së e rëndësishme që fokus i madh t’i kushtohet edhe zhvillimit dhe lirisë së medias, duke krijuar kushte solide dhe hapësirë të mjaftueshme për gazetarët të bëjnë punën e tyre.

Gazetaria pa presion e pa censuruar prodhon lajm dhe informacion të duhur e të nevojshëm për qytetarët. Në momentin që ndaj gazetarëve shkaktohet presion e frikë pushteti i aktërtë rrezikon të humbë kuptimin dhe nevojën e ekzistimit.

Gazetarët në çdo ditë të punës së tyre përballen me politikanët të cilët i ndajnë në dy kategori gazetarët: në gazetarë të mirë dhe jo të mirë. Të mirë i konsiderojnë ata që nuk u merren me investigim e nuk kërkojnë llogari por vetëm raportojnë.

Gazetarët nuk janë propagandues, e kjo gjë kërkohet shpesh herë të bëhet prej tyre për qëllime e përfitime partiake e personale, por një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë.

Sulmi verbal e fizik nuk duhet të ndodhin ndaj askujt, por që shpesh ndodhë edhe ndaj gazetarëve që të përballen edhe me sulme të tilla, që pastaj mbrojtja ligjore nuk është se vepron siç duhet. Duhet të krijohet parim në shtet që mbrojtje e gazetarëve të jetë prioritet sepse nënkupton edhe mbrojtjen e fjalës së lirë, mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të demokracisë./Zhurnal.mk