MBPEU: Programi intervenues plotësohet me mbështetje për plehrat artificial, kumbullat dhe lakrat

Shkup, 13 shtator – Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave (MBPEU) njoftoi se Programi intervenues do të plotësohet me masa të reja – për mbështetje të plehrave artificiale, kumbullave dhe lakrave.

Masat e reja të cilat janë propozim i MBPEU, sot ishin pranuar nga Qeveria.

Siç njoftoi Ministria, në periudhën e ardhshme Programi intervenues do të plotësohet edhe me masën e mbështetjes financiare për qumësht të prodhuar dhe të dorëzuar të lopëve, deleve dhe dhive.

“Masë e re plotësuese sigurohet për mbështetje financiare prej tre denarë për një kilogram për lakër të prodhuar dhe dorëzuar për periudhën 13 prill 2022 deri 7 maj 2022. Shfrytëzues të kësaj mase janë biznese bujqësore të regjistruara të cilat në vitin prodhues 2022 kanë prodhimtari të lakrës dhe kanë dorëzuar kërkesë në Programin për Mbështetje Financiare në Bujqësi për vitin 2022 dhe prodhimtarinë e kanë dorëzuar te blerës të regjistruar në regjistrin e blerësve të produkteve bujqësore i cili udhëhiqet në Ministri. Sasia maksimale e pranueshme e lakrës për të cilën sigurohet mbështetja është 30.000 kilogramë për një hektar hapësirë të regjistruar”, informoi MBPEU.

Një masë e re shtesë sigurohet edhe për mbështetjen financiare për kumbullat e prodhuara dhe dorëzuara blerësve të regjistruar nga data 20 gusht 2022 deri më 30 shtator 2022. Shfrytëzues të kësaj mase janë bizneset bujqësore që në vitin prodhues 2022 kanë pemishte me kumbulla me kërkesë të paraqitur për pagesën e pagesave direkte dhe ua kanë dorëzuar prodhimin blerësve të regjistruar në regjistrin e blerësve të produkteve bujqësore të Ministrisë. Sasia maksimale e pranueshme e kumbullave për të cilat ofrohet mbështetje është 17.000 kilogramë për hektar të sipërfaqes së raportuar. Shuma e mbështetjes financiare për kumbullat e blera për muajin gusht është dy denarë për kilogram, ndërsa për mbështetje financiare për kumbullat e blera për muajin shtator është katër denarë.

“Si masë të suksesshme e vazhdojmë mbështetjen financiare të bujqve për furnizim të plehrave artificiale gjatë prodhimtarisë së drithërave, gjegjësisht për prodhimtari të grurit dhe elbit. Shfrytëzues të kësaj mase janë bizneset bujqësore të cilat këtë vjeshtë kishin hapësira të mbjella me grurë dhe elb dhe biznese bujqësore të regjistruara në Regjistrin e furnizuesve të materialit të farërave sipas ligjit. Shfrytëzuesit duhet që plehrat artificialë për të mbjellat t’i kenë furnizuar nga 1 gushti deri më 31 tetor 2022. Vlera e mbështetjes financiare është 3.000 denarë për një hektar shpenzime të pranueshme për furnizim të plehrave artificiale edhe atë në sasi prej të paktën 200 kilogramë për një hektar për grurë dhe elb”, njofton MBPEU.

Sipas Ministrisë, Programi intervenues i miratuar në kuadër të Planit Kombëtar për Prodhimtari të Ushqimit, i arriti rezultatet e pritura për mbështetje të shpejtë dhe me kohë të bujqve.