MBPEU: Aksion i madh për pyllëzim – mbillen 40.000 fidanë
Shkup, 23 dhjetor – Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave dhe Pyjet Kombëtare në bashkëpunim me Men end Maunten së bashku me Pivara Shkup, Pakomak dhe Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor e kanë përmbyllur me sukses bashkëpunimin duke u kujtuar qytetarëve dhe institucioneve se vetëm duke punuar së bashku mund të përmirësohet cilësia e jetës dhe të kontribuohet në një mjedis jetësor të qëndrueshëm.
Në dy muajt e fundit, MBPEU së bashku me Pyjet Kombëtare, vullnetarët e Pivara Shkup dhe popullatën lokale mbollën rreth 40.000 pemë – 10.000 në Qojli (Petrovec) dhe 30.000 në Veles, afër liqenit Mlladost.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Lupço Nikollovski e përshëndeti aksionin dhe theksoi rëndësinë e veprimeve të tilla dhe përkushtimin për një kontribut të përbashkët në përmirësimin e cilësisë së jetës në vendin tonë.
Drejtori i përgjithshëm i Pivara Shkup, Goran Slladiq, u shpreh i kënaqur për, siç thotë, suksesin e pabesueshëm dhe rezultatet pozitive të këtij aksioni dhe bëri thirrje për një masë edhe më të madhe në aksionet që do të vijojnë.
Duke e përshëndetur nismën ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini, ka uruar suksesin e organizatorëve të aksionit të madh ekologjik.
E gjithë infrastruktura e nevojshme për grumbullimin, përzgjedhjen dhe trajtimin e duhur të mbetjeve është siguruar nga Pakomak.