Mbi një e treta e banesave të pabanuara, Maqedonia e Veriut “shtet betoni” do të mbetet pa qytetarë
Shkup, 7 qershor – Të dhënat për regjistrimin e banesave nga regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut janë tronditëse. Një e treta e banesave në vend janë të pabanuara dhe kjo është një dëshmi se një numër i madh i qytetarëve jetojnë jashtë vendit pasi nuk kanë mundur të jetojnë në këtë vend, sipas shumicës prej tyre këtu ka vetëm përpjekje për të mbijetuar e asesi për të jetuar. Vendi është thelluar në krizë të shumëfish, por kriza ekonomike është ajo e cila i dëmton më së shumti qytetarët, ngritja e çmimeve nuk ka të ndalur, vazhdon sërish, dhe kjo është tregues se edhe numri i banesave e shtëpive që do të mbesin pa njerëz do të shtohet edhe më shumë. Maqedonia e Veriut së shpejti do të bëhet vend i objekteve të betonuara pa njerëz që banojnë. Vend pushimi pa asnjë vend turizmi për qytetarët në shtëpitë e tyre, shkruan Zhurnal.
Ajo që është shqetësuese për vendin është fakti se Maqedonia e Veriut po rrezikon të shndërrohet në shtet të betonizuar me shtëpi e ndërtesa shumëkatëshe por të banuara, pa njerëz. Pasi, shumica dërrmuese nuk shohin shpresë e perspektiv për zhvillim, ajo që të rinjtë duan është një vend pune, meritokraci, drejtësi e qetësi. Por, po mbesin vetëm dëshira të parealizueshme, prandaj të gjithë po e kërkojnë më të mirën prej ta jashtë vendit.
Nga gjithsej 839.174 banesa, 531.987 prej tyre ose 63.4% janë të banuara, dhe 307.187 banesa (36.6%) janë të pabanuara, ndërsa në vend ndërtimet janë ende të intensifikuara. Sipas rajoneve, më së shumti banesa të zbrazëta ka në rajonin Jugperëndimor ku gjysma e banesave janë të zbrazëta ose 51348 banesa. Rajoni Jugperëndimor është një nga 8 rajonet e Maqedonisë së Veriut dhe ndodhet në jugperëndim të vendit. Ky rajon në perëndim kufizohet me Shqipërinë, ndërsa brenda vendit kufizohet me Rajonin e Pellagonisë, Pollogut, Shkupit dhe Rajonin e Vardarit.
Rajoni jugperëndimor është i përbërë nga 9 komuna: Komuna e Dibrës, Komuna e Debarcës, Komuna e Kërçovës, Komuna e Brodit, Komuna e Ohrit, Komuna e Pllasnicës, Komuna e Strugës, Komuna e Veçanit, Komuna e Qendrës Zhupa.
Rezultatet e regjistrimit të popullsisë kanë nxjerrë në pah se në Maqedoninë e Veriut është ulur dukshëm numri i të rinjve, me këtë edhe i fuqisë punëtore. Pritja më shpresë dhënëse për të rinjtë e Maqedonisë së Veriut është shndërruar pritja e terminit për të marrë viza për të shkuar në vendet evropiane, sidomos në Gjermani. Se të rinjtë te vendit tonë e duan punën dhe duan të punojnë është fakt i pa mohueshëm, përndryshe nuk do të arrinin të mbijetonin në shtet evropiane aty ku puna është primare. Pra, ajo që u mungon të rinjve është një punë e sigurt për të pasur një mirëqenie sociale.
Megjithatë, kjo nuk është evidente vetëm në banesa sepse ngjashëm në rajonin e Komunës së Likovës numri më i madh i shtëpive janë të pabanuara sepse e gjithë rinia e këtij vendi është orientuar drejtë perëndimit për të kërkuar shpresën për të jetuar. Pasi ky rajon ende figuron si zonë rreziku me çka pamundësohen investimet evropiane për të hapur e krijuar vende pune me çka hapet edhe perspektiva për të jetuar. Ngjashëm, në Tetovë, në Shkup e Kumanovë, vende kryesisht të banuara me shqiptarë.
Ndryshe, tani kriza ekonomike dita ditës po bëhet e pa përballueshme për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, meqë mungesa e një strategjie dhe plan veprimit në situata të tilla për tejkalim sa më të lehtë që qytetarët mos të dëmtohen, në vendin tonë janë të parët qytetarët që dëmtohen nga rritja enorme e çmimeve të ushqimeve bazë.
Sipas përllogaritjes së shportës sindikale mujore për një familje katër anëtaresh si shpenzime minimale elementare janë paraparë që për ushqim dhe pije nevojiten minimum 15.780 denarë, ndërsa për shpenzimet e regjimit 11.597 denarë. Paratë tjera nga shporta minimale sindikale janë për transport, veshë mbathje dhe shërbime shëndetësore.
Sipas këtyre të dhënave jeta në Maqedoninë e Veriut për të rinjtë po shndërrohet në luftë ekzistenciale apo për mbijetesë, ku për dallim me shtetet evropiane standardi jetësor pothuajse i njëjtë, madje për shumë produkte thuhet se në vendet evropiane janë më lirë se sa tek ne, por dallimi substancial ekziston në pagat që merren atje dhe që merren këtu.
Shpenzimet minimale mujore për një familje janë të pa përballueshme nga një i punësuar në familje i cili merr pagë minimale, as gjysmë shporte nuk mund të përmbushet. Kjo përpos që shkakton zhgënjim e dëshpërim, është edhe shtytje për largim nga vendi.
Shpresa e ka humbur rrugën në Maqedoninë e Veriut, madje është absurditet të dëgjohet prej ndokujt që shpreson që gjendja do të ndryshoj në aspekt pozitiv. Të rinjtë nuk shohin të ardhme, të punësuarit të pa kënaqur me pagat, të moshuarit me pensione që as për kontrolle mjekësore nuk janë të mjaftueshme.
Pra, e gjithë kjo katrahurë shkakton krizë edhe më të thellë në Maqedoninë e Veriut, që do të futemi në “krizë qytetarësh”, ku vendi do të zbrazet dhe do të bëhet i pa banueshëm, duke u shndërruar në “shtet betoni”. /Zhurnal.mk

