Mbi 700 refugjatë në vend, gatishmëri edhe për 1.500 tjerë

Shkup, 5 Qershor – Mbi 700 refugjat aktualisht gjenden në vend ndërsa nga Kryqi i Kuq sigurojnë se vendi është i gatshëm të ofrojë asistencën humanitare dhe shëndetësore edhe 1.500 migrantë të tjerë. Pjesa më e madhe e tyre ballafaqohen me problemin e pajisjes me dokumentacion për qëndrim.

Mbi 300 migrantë ukrainas dhe mbi 400 afganë po qëndrojnë aktualisht në Maqedoninë e Veriut. Nga Kryqi i Kuq sigurojnë se vendi është i gatshëm të ofrojë asistencën e nevojshme humanitare dhe shëndetësore, ndërsa aktualisht Maqedonia e Veriut ka kapacitete për të pranuar edhe 1.500 migrantë të tjerë.

”Me informatat që unë i posedoj, për një moment jemi të përgatitur që të pranojmë afër 1000-1500 persona nga ana e shtetit, nëse jepet mundësia për angazhime shtesë, unë shpresoj se me një riorganizim të planit mund të bëhet pranimi i një numri më të madh të refugjatëve, qofshin ato nga Ukraina ose vende të tjera” tha Sait Saiti.

Më shumë se gjysma e migrantëve afganë tashmë janë larguar për në vendet e treta që ishin destinacioni i tyre që në fillim, ndërsa pjesa e mbetur po ballafaqohet me kufizim të lëvizjes së lirë.

”Për fat të keq këta që ishin nga Afganistani u ishte kufizuar e drejta e lëvizjes, pra janë vendosur nëpër hotele në afërsi të Shkupit dhe nuk kanë mundësi të dalin jashtë përveç me shoqërim të policisë, për shkak të sigurisë së tyre në thojza. Por deri më tani u dëshmua dhe ne e kemi thënë se Maqedonina në këtë aspekt është e sigurt, gjegjësisht asnjë nga qytetarët deri më tani nuk ka bërë ndonjë incident me këtë grup qytetarësh” – deklaroi Rexhepi, QJQ Legis

Por si është rregulluar statusi i tyre, përgjigjen nga Qeveria.

“Statusi i shtetasve të Afganistanit për të cilët Maqedonia e Veriut ka siguruar qëndrim deri në nisjen e tyre në një shtet të tretë, është rregulluar në përputhje me Ligjin për të huajt. Procesi i marrjes së dokumenteve për qëndrim të përhershëm në vendet e treta zhvillohet në përputhje me politikat e atyre vendeve ku ata shkojnë dhe në bazë të saj vijojnë procedurat. Në vend deri më tani kanë arritur 793, ndërsa janë larguar 366 persona.” – thonë nga Qeveria.

Ndërsa migrantët e tjerë që po qëndrojnë për një kohë më të gjatë, po ballafaqohen me probleme të pajisjes me dokumentacion për qëndrim me qëllim që të konkurojnë në tregun e punës.

”Tek ne sipas ligjit, azilkërkuesit pas gjashtë muajsh kanë të drejtë të aplikojnë për punë, por këtu kemi një problem të madh me të cilin ballafaqohemi ne organizatat joqeveritare dhe ndërkombëtare, bëmë thirrje tek MPB që të respektohet kjo e drejtë, gjegjësisht meqë ata persona kanë të drejtë të jenë në tregun e punës dhe të kërkojnë punë legale, kjo nënkupton se duhet të hapin xhirollogari, për çka nevojitet numër amë, ndërsa numrat amë nuk ua jep ministria, pasi vlerëson se nuk dihet nëse ata persona nuk do të qëndrojnë më gjatë” – Jasmin Rexhepi, QJQ Legis.

Rexhepi tha se një grup i përbërë nga më pak se 30 persona kalojnë çdo ditë nëpër shtetin tonë dhe një pjesë e tyre ndalojnë në qendrat tranzitore në Gjevgjeli dhe Tabanoc. Në qendrën për azil nuk ka më shumë se 20 persona, ndërsa as në qendrën e të huajve Gazibabë nuk ka më shumë se dhjetëra persona. Për të gjithë këta ofrohen të gjitha kushtet e nevojshme.