Matt Damon do të luajë Odisenë në filmin e Christopher Nolanit “The Odyssey”

Për filmin “The Odyssey” të regjisorit të njohur Christopher Nolan janë zgjedhur aktorët që do të luajnë rolet kryesore. Aktori Matt Damon do të luajë Odisenë, heroin legjendar të Greqisë.

Filmi do të ketë një kastë aktorësh të famshëm, përfshirë Tom Holland, Mia Goth, Zendaya, Anne Hathaway, Lupita Nyong’o, Robert Pattinson, Charlize Theron, Benny Safdie, Jon Bernthal dhe John Leguizamo, ka raportuar Variety.

Lajmi u bë i ditur të hënën në mëngjes nëpërmjet llogarisë zyrtare të filmit në rrjetin social X, ku u shpërnda një fotografi e Damonit në rolin e Odisesë.

“Matt Damon është Odiseja. Një film nga Christopher Nolan, #TheOdysseyMovie do të shfaqet në kinema më 17 korrik 2026”, shkruhej në postim.

“The Odyssey” bazohet në epikën e lashtë greke të shkruar nga Homeri më shumë se 2,000 vjet më parë dhe ndjek udhëtimin e Odisesë për t’u kthyer në shtëpi pas Luftës së Trojës.

“Universal Pictures”, kompania që distribuon filmin, me të cilën Nolan ka bashkëpunim të gjatë, e përshkruan filmin si “aksion epik mitik”, i cili do të shfaqet për herë të parë në kinema në formatin Imax, teknologjia më e re e filmit.

Nolan është autori i skenarit dhe gjithashtu regjisor e producent i filmit. Bashkëshortja e tij, Emma Thomas, do të jetë po ashtu producente nëpërmjet kompanisë së tyre “Syncopy”.

Xhirimet për “The Odyssey” priten të fillojnë në pranverë, me disa skena që do të xhirohen në Sicili, vendi ku Homeri besonte se Odiseja do të ndalej gjatë udhëtimit të tij mitik. Xhirimet do të nisin në Ishullin Favignana, një vend ku besohet se Homeri e kishte imagjinuar se Odiseja do të zbarkonte me ekipin e tij.

Ky do të jetë bashkëpunimi i tretë mes Nolan dhe Damon, pas roleve të Damon në “Oppenheimer” dhe “Interstellar”.