MASH: Në vijim është pajisja e 265 kabineteve të shkencave natyrore nëpër shkollat e vendit

Shkup, 26 prill – Ministria e Arsimit dhe Shkencës vazhdon të pajis shkollat dhe të investojë në mënyrë aktive në arsim me qëllim për të ngritur cilësinë e sistemit arsimor kombëtar. Është në proces pajisja e 265 kabineteve të shkencave natyrore për shkollat në vend, me çka ata do të fitojnë kabinete moderne për fizikë, kimi, biologji dhe gjeografi.

Siç informon MASH-i koncepti i ri i arsimit fillor parashikon që në studimin e shkencave natyrore nxënësit jo vetëm të njihen me fakte, koncepte dhe teori, por edhe të zhvillojnë në mënyrë të njëjtë aftësitë kërkimore. Programet e reja mësimore parashikojnë kontrollimin e njohurive praktike dhe kryerjen e eksperimenteve, përdorimin e materialeve laboratorike dhe kryerjen e matjeve, të gjitha këto të mundësuar nga modernizimi ekzistues dhe investimi në kabinete të reja të shkencave natyrore.

“Është veçanërisht e rëndësishme që Ministria e Arsimit dhe Shkencës të sigurojë kushte për të mësuar përmes kërkimit, për të mundësuar zhvillimin e kureshtjes, sistematicitetit dhe inovacionit tek nxënësit, qysh në moshë të re, si çelës për zhvillimin e mendimit kërkimor shkencor. Në afat të mesëm, investimet në arsim do të përmirësojnë aftësinë dhe gatishmërinë e nxënësve në shkencat natyrore dhe rezultatet do të jenë të dukshme në testet ndërkombëtare ku matet shkrim-leximi në shkencat natyrore dhe zbatimi i asaj që është mësuar në situata të jetës reale”, thuhet në kumtesën e MASH-it.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës merr mbështetje të madhe për pajisjen e kabineteve shkollore nga Banka Botërore, në kuadër të Projektit për Përparimin e Arsimit Fillor. Sigurimi i më shumë investimeve në kushtet e shkollës është një nga kushtet bazë për ngritjen e konkurrencës së sistemit arsimor.

https://www.facebook.com/jetonshaqirii/posts/377428127730939