MASH-i pret më shumë mjete për realizim të programit Erasmus +

Shkup, 24 shkurt – Nxënësit dhe mësimdhënësit nga Maqedonia e Veriut kanë mundësi të shkëlqyera për mobilitet dhe rrjetëzim me bashkëmoshatarët, përkatësisht kolegët nga vendet e tjera të Evropës përmes programit Erasmus + të Bashkimit Evropian. Kjo është mënyrë e mirë për të shkëmbyer përvojat, perceptuar praktikat pozitive dhe aplikimin e të njejtave në vendin tonë. Prandaj, MASH dhe Agjencia nacionale për programet evropiane për arsim dhe mobilitet do të vazhdojnë të punojnë për ofrimin e kushteve për përfshirjen e sa më shumë përdoruesve, të rinj dhe staf arsimor nga vendi në realizimin e projekteve ndërkombëtare në fushën e arsimit, trajnimit, rinisë dhe sportit.

Në lidhje me këtë u diskutua në takimin e sotëm mes ministrit për arsim dhe shkencë Jeton Shaqiri dhe drejtorit të Agjencisë nacionale për programe evropiane për arsim dhe mobilitet, Marko Gjeorgievski, në të cilin që të dy u shprehën të kënaqur nga bashkëpunimi i deritanishëm ndërinstitucional dhe sipas tyre ky bashkëpunim do të vazhdojë të mbindërtohet, në interes të krijimit të mundësive më të mëdha dhe sa më cilësore për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Siç theksuan bashkëbiseduesit, pritshmëritë janë që buxheti që shteti e fiton nga Bashkimi Evropian për realizimin e aktiviteteve në kuadër të programit Erassmus + do të vazhdojë të rritet nga viti në vit, dhe në ndërkohë institucionet do të intensifikojnë promovimin e përfitimeve nga pjesëmarrja në këtë program para të rinjve dhe kuadrit arsimor.