MASH: Bordi për vlerësim të arsimit të lartë garantoofrimin e programeve më cilësore dhe atraktive të studimit

Shkup, 8 mars – Qëllimi ynë është të ndërtojmë një shoqëri të bazuar në dije dhe për këtë arsye duhet të intensifikojmë përpjekjet tona për të përmirësuar cilësinë e sistemit të arsimit të lartë në vend. Në arritjen e këtij qëllimi, pritjet tona nga Bordi për vlerësimin e arsimit të lartë janë të mëdha, tha ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri në takimin e sotëm me kryetaren dhe nënkryetaren e Bordit, prof. Dr. Marina Mitrevska dhe prof. Dr.Jetmire Jakupi-Almani.

“Është e qartë se na pret shumë punë. Ende nuk kemi një institucion të arsimit të lartë as në 1000 universitetet më të mira në botë, në ndonjë nga rang listat e njohura. Prandaj, duhet të fokusohemi në ofrimin, zhvillimin dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë”, tha ministri Shaqiri.

Vlerësimi, siç kumton MASH, është një nga mjetet për të inkurajuar institucionet e arsimit të lartë që të punojnë më shumë për të rritur konkurrencën, për të ofruar programe studimi më të mira, më atraktive, për të zhvilluar më tej kërkimin shkencor dhe për t’u kujdesur më shumë për studentët.

Bashkëbiseduesit ranë dakord se vetëm duke ndërtuar bashkëpunim ndërinstitucional, shkëmbim përvojash, idesh dhe propozimesh mund të ndërtojmë institucione cilësore të arsimit të lartë, me një ofertë atraktive të programeve të studimit jo vetëm për studentët vendas por edhe për studentët e huaj.