Marzhe të kufizuara në vend të çmimeve të ngrira të prodhimeve themelore ushqimore
Shkup, 1 mars – Hyri në fuqi vendimi për caktim të marzheve më të larta tregtare të çmimeve shitëse të prodhimeve themelore ushqimore në tregtinë me shumicë dhe pakicë, që të martën e kaluar e solli Qeveria me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, ndërkaq ndërpritet vendimi paraprak për ngrirje të çmimeve të prodhimeve themelore ushqimore.
Vendimi i ri, në të cilin në listën e prodhimeve themelore ushqimore janë shtuar edhe pemët dhe perimet, gruri, vaji i parafinuar i lulediellit dhe kripa, do të vlejë deri më 31 maj të këtij viti.
Me vendimin përcaktohet që marzha më e lartë tregtare të jetë deri 5 për qind të çmimit shitës të llogaritur në tregtinë me shumicë, gjegjësisht deri 10 për qind të çmimit shitës në tregtinë me pakicë te buka, sheqeri, kripa, mielli – lloji 400, vaji i papërpunuar i lulediellit dhe vaji i lulediellit për ushqim, qumështi i qëndrueshëm me përmbajtje yndyre prej 2,8, 3,2 dhe 3,5 për qind, mishi i freskët dhe produkteve të mishit, djathi dhe gjiza, orizi, vezët, brumërat, misri dhe pemët e perimet. Tek tregtarët e shitjes me pakicë në shumën e përgjithshme të marzhit tregtar deri 10 për qind janë përfshirë rabati dhe kompensimi të cilët tregtari i shitjes me pakicë i paguan nga tregtari i shitjes me shumicë për reklamim dhe për pozicione primare dhe sekondare për ekspozim të mallrave në rafte.
Nëse tregtarët nuk i përmbahen këtij vendimi, siç paralajmëroi, do të vijojnë gjoba. Për shkeljen e këtyre masave sipas nenit 30 të Ligjit për tregti janë paraparë gjoba në vlerë prej 800 deri 1.000 euro në kundërvlerë të denarit për një tregtar mikro, prej 1.600 deri 2.000 për një tregtar të vogël, nga 3.000 deri 6.000 për një tregtar të mesëm dhe nga 7.000 deri 10.000 për një tregtar të madh.
Në periudhën e ardhshme, siç tha, Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) do të dalë në terren me kontrolle të përforcuara te tregtarët dhe u bëri thirrje qytetarëve të cilët do të vërejnë rritjen e çmimeve të prodhimeve ushqimore bazë të raportojnë në numrin pa pagesë 191 të ISHT.
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi konsideron se me vendimin për kufizim të marzheve do të stabilizohet tregu dhe nuk beson se do të ketë goditje të re të çmimeve.
“Presim që kufizimi i marzhit tregtar në tregtinë me shumicë dhe pakicë të produkteve ushqimore bazë, i cili do të hyjë në fuqi më 1 mars të këtij viti, të shkaktojë ulje të çmimeve të tyre pas skadimit të vendimit për ngrirjen e çmimeve që vlen nga 1 dhjetori i vitit të kaluar, tha sot ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.
“Në rast se nuk ka, sigurisht që do të intensifikohen kontrollet nga Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT), NDËRSA qytetarët do të duhet të raportojnë nëse mendojnë se çmimet janë rritur apo nuk janë ulur. Sipas metodologjisë dhe vendimit të ri, kontrollet do të bëhen duke zbritur tarifat shtesë që kërkojnë shitësit dhe duke zbritur fitimet ekzistuese që janë mesatarisht 20 për qind, përveç atyre shtesë që janë rreth 30 për qind, tha Bekteshi në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve në konferencën për shtyp në Qeveri.
Synimi ynë, theksoi, është që të mos ketë rritje dhe presim uljen e çmimit final që paguajnë qytetarët në rrjete të caktuara supermarketesh për produktet bazë.
“Në rast se nuk ulet, atëherë sigurisht që kontrollet nga ISHT do të forcohen dhe këto marzhe aktuale që kanë tregtarët nuk do të vlejnë. Për këtë arsye ne po përgatisim një zgjidhje ligjore në pjesën e praktikave të padrejta tregtare që kemi përcaktuar aktualisht në përputhje me analizat. Në fushën e marzheve për produktet ushqimore bazë, mendoj se janë praktika të padrejta që disa palë të interesuara në zinxhirin tregtar në vend të marrin marzhe mbi 30 deri në 50 për qind, veçanërisht të padrejta në kohë pandemie dhe në kohë krize”, precizon Bekteshi.
Zgjidhje të ngjashme ligjore për praktikat e padrejta tregtare, siç tha ai, vlejnë në disa shtete edhe atë anëtare të BE-së, ndërsa veçanërisht vlejnë për ata që merren me tregtinë me pakicë.
“Jam i bindur se edhe në pjesën e marrëveshjeve të shit-blerjes që lidhin tregtarët me pakicë me prodhuesit apo importuesit, ka një mënyrë për të bërë marrëveshje të tilla që të mos ketë marzhe kaq të mëdha që ekzistojnë aktualisht në disa prej rrjeteve të supermarketeve në vendin tonë. Sektori i Tregtisë dhe ne si Ministri e Ekonomisë jemi konsultuar me të gjitha palët e interesuara. Ne i kemi marrë parasysh të gjitha marrëveshjet e shit-blerjes, veçanërisht për ato produkte që prodhohen në vendin tonë, kemi parë se cili është çmimi i prodhimit të tyre dhe kemi bërë dallimin dhe krahasimin se sa kushtojnë në rrjete të caktuara supermarketesh në vendin tonë. Kemi angazhuar edhe konsulentë të jashtëm, por edhe njerëz me përvojë që kanë punuar me pakicë, e ndoshta edhe për këto rrjete të mëdha supermarketesh”, tha Bekteshi.
Oda ekonomike, ndërkaq, të premten kërkoi takim urgjent me ministrin e Ekonomisë për konsultime shtesë me qëllim të gjetjes së zgjidhjes për ngrirjen e marzheve në tregtinë em shumicë dhe pakicë.
Nëse marzhi ngrihet për një periudhë të caktuar, sipas kompanive anëtare të Odës, ai duhet të ejtë në lartësi prek 20 për qind në tregtinë me pakicë, ndërsa nevojitet edhe korrigjim i listës së prodhimeve, përkatësisht vendimi i Qeverisë t’u referohet vetëm prodhimeve themelore në sektorët e përfshirë me të. Nëse nuk bëhet korrigjim i listës, thonë nga Oda, tregtarët e shitjes me pakicë do të jenë të detyruar këto prodhime në periudhën në vijim t’i anulojnë.
“Nëse qëllimi i Qeverisë është mbrojtja e kategorisë së qytetarëve social, tregtarët vendorë të shitjes me pakicë dhe shumicë janë të gatshëm për bashkëpunim. Në pajtim me të dhënat, vetëm për rroga ndahen 8 deri 14 për qind e qarkullimit, ndërsa me miratimin e Ligjit për rrogën minimale dhe me rritjen e saj lineare, ajo përqindje do të jetë edhe më e lartë. Në energjense bëjnë pjesë 5 deri 6 për qind, në mirëmbajtje 7 deri 10 për qind, ndërsa për pagesa të qirasë për hapësirë prej 3 deri 4 për qind nga qarkullimi i përgjithshëm. Që këtej, nëse marzhi ngrihet për një periudhë të caktuar, ai duhet të jetë në lartësi prej 20 për qind në tregtinë me pakicë. Nëse Qeveria nuk e pranon kërkesën për korrigjim të listës së prodhimeve, tregtarët e shitjes me pakicë do të jenë të detyruar që këto prodhime, në periudhën në vijim, t’i anulojnë, që do të ketë pasoja negative ndaj punës dhe prodhuesve dhe vetë tregtarëve”, thonë nga kompanitë.
Sot ndërpritet së vlejturi vendimi paraprak i Qeverisë për ngrirje të çmimeve të prodhimeve themelore ushqimore që ishte miratuar më 5 dhjetor të vitit të kaluar.. Atëherë çmimet e prodhimeve themelore ushqimore u ngrinë me çmimin që e kishin më 1 dhjetor 2021. Fillimisht u ngrinë çmimet e bukës, sheqerit, miellit – tipi 400, vajit të lulediellit për ushqim, qumështit të qëndrueshëm me yndyrë prej 2,8, 3,2 dhe 3,5, mishit të freskët dhe prodhimeve të thata të mishit, djathit dhe gjizës. Më pas vendimi u zgjerua edhe për orizin, vezët dhe brumërat.

