Mariçiqi në tryezën rajonale të rrumbullakët në Tiranë në kuadër të iniciativës “Dialogje ballkanike”
Shkup, 16 mars – Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq prej sot po qëndron në vizitë dyditore në Tiranë, ku do të marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët të ekspertëve “Bashkëpunimi rajonal për integrimin evropian”, e organizuar në kuadër të iniciativës “Dialogje ballkanike”.
Qëllimi i iniciativës, siç bëri të ditur Sekretariati për Çështje Evropiane, është që të nxitet bashkëpunimi rajonal, të zgjerohen kornizat ekzistuese politike që të mund të përfshihen edhe sfera të tjera të interaksionit social, siç janë biznesi, kultura, arsimi, inovacionet, mbrojtja e mjedisit jetësor dhe sporti.
“Pjesëmarrësit, përfaqësues të lartë të qeverive, organizata ndërkombëtare, shoqëria civile, bashkësia e biznesit nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, do të definojnë prioritete, për arritjen e integrimit rajonal ekonomik, e cila do të ndihmonte drejtë afrimit të rajonit me Unionin dhe tregje të tjera të zhvilluara”, bëhet e ditur në kumtesë.
Ky do të jetë i pari nga disa ngjarje të planifikuara që të mbahen në vitin 2022. Fjalë hyrëse në këtë ngjarje do të ketë kryeministri shqiptar Edi Rama, ndërsa zëvendëskryeministri Mariçiq do të flasë në panelin “Ëndrra dhe realiteti i një rajoni evropian”, bashkë me përfaqësuesin special gjerman qeveritar për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin dhe sekretarja e përgjithshme të Këshillit Rajonal për Bashkëpunim, Majlinda Bregu.
Në kuadër të vizitës në Tiranë, zëvendëskryeministri Mariçiq do të takohet edhe me negociuesin kryesor për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Zef Mazi dhe me zëvendëskryeministrin shqiptar Arben Ahmetaj.