Mariçiq: Shfrytëzimi i fondeve IPA është kyç në zbatimin e reformave evropiane

Shkup, 7 mars  – Shfrytëzimi i fondeve të IPA-s është vendimtar në këtë periudhë dhe në këtë fazë të zbatimit të reformave, tha zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, në dy takime të veçanta koordinuese të IPA-s me ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH), Naser Nuredini dhe Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave (MBPEU), Lupço Nikollovski, të cilët diskutuan për situatën në realizimin e projekteve dhe shfrytëzimin e fondeve IPA, sfidat me të cilat përballen dhe mundësitë për zgjidhjen e shpejtë të tyre.

Mariçiq, i cili është edhe koordinator kombëtar i IPA-s me dy ministrat ka biseduar për përforcimin e kapaciteteve administrative, aktivitetet dhe prioritetet e ardhshme të MBPEU-së, sfidat që ndikojnë në dinamikën e realizimit të projekteve, si dhe programet e reja për shfrytëzimin e fondeve evropiane nga Bashkimi Evropian.

Siç kumtoi SÇE në këtë drejtim, zëvendëskryeministri Mariçiq në dy takimet i informoi ministrat se Maqedonia e Veriut është vend partner në programin e ri për bashkëpunim territorial – Euro-Med.

Qëllimi i këtij programi është rritja e kapacitetit të autoriteteve publike dhe subjekteve private për të zbatuar një ekonomi të qëndrueshme dhe më të gjelbër, përshtatje të mëtejshme ndaj ndryshimeve klimatike, parandalimin e rrezikut nga fatkeqësitë dhe elasticitetin bazuar në parimin e ekosistemit për të siguruar një mjedis jetësor cilësor.

Mariçiq theksoi se prioritetet e programit janë në masë të madhe në përputhje me kompetencat e dy ministrive, duke besuar se nuk duhet të humbasin mundësinë për të hyrë në një partneritet, veçanërisht duke pasur parasysh se këto janë projekte të mëdha që përfshijnë 6+ partnerë nga BE dhe nga rajoni IPA dhe për të cilin parashikohet një buxhet serioz.

Zëvendëskryeministri Mariçiq dhe ministrat Nuredini dhe Nikollovski u pajtuan se zbatimi i fondeve IPA në këta dy sektorë është i një rëndësie të madhe për përparimin në zbatimin e reformave evropiane dhe paralajmëruan bashkëpunim më të ngushtë për arritjen e qëllimit.