Maria Shmid: Jam e impresionuar me mënyrën se si Maqedonia e Veriut kontribuon në stabilitetin dhe sigurinë rajonale

Shkup, 19 qershor – Bashkëpunimi rajonal është në zemër të qasjes tonë drejt sigurisë në OSBE dhe jam e impresionuar nga ajo se si Maqedonia e Veriut kontribuon për stabilitetin rajonal dhe sigurinë. Vendi i juaj ka arritur kaq shumë dhe është shembull i mirë për rajonin dhe më gjerë dhe mendoj se ka shumë shtete të tjera të cilat mund të mësojnë nga Maqedonia e Veriut, thotë në intervistën për MIA-n, sekretarja e përgjithshme e OSBE-së, Hellga Maria Shmid.

Në intervistën për MIA-n, ajo përqendrohet në luftën në Ukrainë, duke potencuar se vazhdon të ketë çmim të tmerrshëm njerëzor, duke u shkaktuar vuajtje miliona njerëzve dhe duhet të ndalojë.

“Ne po i shohim efektet e luftës kundër Ukrainës në fqinjësi dhe më gjerë, dhe ajo ka përkeqësuar perspektivat ekonomike për shoqëritë në të gjithë rajonin. Qeveritë përballen me sfida serioze në zbutjen e pasojave socio-ekonomike të konfliktit. Operacionet në terren të OSBE-së po monitorojnë nga afër situatën dhe po e përshtatin punën e tyre sipas nevojës për të vazhduar të ofrojnë mbështetje në bazë të nevojave reale të qeverive dhe komuniteteve në baza ditore”, tha Maria Shmid.

Zonja Shmid, ju po merrni pjesë në Forumin e Prespës për Dialog, i cili përkon me katërvjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës. A mendoni se kjo marrëveshje ishte e suksesshme, a mund të përdoret si model për zgjidhjen e çështjeve të tjera të hapura në rajon?

Më lejoni të filloj duke thënë se jam shumë e lumtur që jam kthyer në këtë vend të bukur dhe mezi pres të flas në Forumin e Prespës për Dialog. Herën e fundit isha në Shkup në tetor të vitit 2021, kur u takova me zyrtarë të lartë të qeverisë dhe stafin tonë të përkushtuar në Misionin e OSBE-së në Shkup dhe zyrën tonë në terren në Tetovë.

Si Sekretare e Përgjithshme e organizatës më të madhe rajonale të sigurisë në botë, e di se bashkëpunimi rajonal është jetik për paqen dhe sigurinë e qëndrueshme. Në fakt, bashkëpunimi rajonal është në qendër të qasjes sonë ndaj sigurisë në OSBE. Jam vërtet e impresionuar me mënyrën se si Maqedonia e Veriut kontribuon në stabilitetin dhe sigurinë rajonale. Vendi juaj ka arritur kaq shumë dhe është një shembull i mirë për rajonin dhe më gjerë.

Marrëveshja e Prespës është padyshim pjesë e kësaj dhe një sukses i madh. Ajo ofron hapësirë ​​për përparim dhe bën të mundur që Maqedonia e Veriut dhe Greqia të adresojnë shqetësimet e përbashkëta. Pa të, zgjidhja e sfidave si kërcënimet ndërkombëtare, krimi i organizuar, bashkëpunimi kufitar dhe trafikimi i qenieve njerëzore do të ishte shumë më i vështirë. Puna e bërë në këto fusha ka pasur një ndikim real në mbarë rajonin.

Evropa sot po përballet me një luftë në territorin e saj, e cila rezulton në përshpejtimin e procesit integrues evropian të shteteve joanëtare dhe vendosjen e anëtarësimit në BE si çështje sigurie. A mundet kjo të përshpejtojë anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, duke e pasur parasysh bllokadën e Bullgarisë, e cila mbetet në pozicionin e saj dhe që për momentin nuk tregon se do të heqë veton në qershor.

Përderisa në fund të fundit ky është një vendim për shtetet anëtare të BE-së, unë kam kaluar një pjesë të mirë të karrierës sime me Bashkimin Evropian, kështu që e di shumë mirë se sa kritere duhet të përmbushin vendet kandidate në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE. Komisioni Evropian ka qenë shumë i qartë se Maqedonia e Veriut i përmbush kushtet për negociatat për anëtarësim.

Maqedonia e Veriut është pjesë e Treshes që kryeson OSBE-në nga viti 2023. Kryesimi ynë vjen në momentin më sfidues me të cilin është përballur Organizata në historinë e fundit, dhe kjo është lufta në Ukrainë. Vendi duhet të paraqesë prioritetet e Kryesisë. Çfarë rekomandimesh do të na jepni?

Unë kam pasur privilegjin të punoj me ministrin e Jashtëm Osmani dhe ambasadorin e Maqedonisë së Veriut në OSBE, Xhundev që kur mbërrita në Vjenë në janar 2021, dhe tani më afër ndërsa Maqedonia e Veriut po përgatitet për kryesimin e saj të OSBE-së në vitin 2023. Ambasadori Xhundev dhe unë jemi pothuajse në kontakt çdo ditë. Ai është një diplomat i shkëlqyer dhe ne jemi me fat që po udhëheq delegacionin e Maqedonisë së Veriut në OSBE në Vjenë.

Ministri Osmani do t’i prezantojë prioritetet e Maqedonisë së Veriut para shteteve të OSBE-së në korrik dhe mezi pres. Supozoj se ai do të dëshirojë të adresojë sfida përtej elementeve tradicionale ushtarake dhe politike të sigurisë, duke përfshirë edhe aspektet ekonomike dhe mjedisore, si dhe të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.

Mendoj se ka shumë shtete të tjera që mund të mësojnë nga Maqedonia e Veriut. Strategjia “Një shoqëri për të gjithë”, për shembull, është një kornizë solide për të ndihmuar në përmirësimin e kohezionit social. Është një model që mund të ndihmojë gjithashtu të tjerët të trajtojnë sfidat e ardhshme.

Si Sekretare e Përgjithshme e OSBE-së, ju po ndiqni nga afër zhvillimet në Ukrainë. Mund të komentoni se çfarë po ndodh atje. Sa refugjatë janë larguar nga vendi deri më tani dhe në cilat vende shkojnë më shumë, a ka raste të njerëzve që kthehen në Ukrainë?

Lufta kundër Ukrainës vazhdon të ketë një kosto të tmerrshme njerëzore, duke shkaktuar vuajtje të paimagjinueshme për miliona njerëz. Ne mbetemi të pranishëm dhe të përkushtuar në përkrahjen e popullit të Ukrainës në këto rrethana jashtëzakonisht sfiduese dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë.

Për shembull, kur njerëzit largohen nga shtëpitë e tyre në një numër të madh, rreziqet e trafikimit të qenieve njerëzore janë shumë të mëdha. Asnjë vend nuk mund ta përballojë këtë i vetëm. Ne po punojmë në Ukrainë dhe vendet fqinje për të adresuar këtë sfidë. Nëpërmjet përkrahjes së  operacionit tonë në terren – Koordinatori i Projektit në Ukrainë – në muajin prill, mijëra njerëz të zhvendosur brenda vendit në tetë rajone të Ukrainës u informuan se si të shmangnin rreziqet e trafikimit të qenieve njerëzore.

Përfaqësuesi Special dhe Koordinatori i OSBE-së për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore po punon ngushtë me vendet fqinje dhe ka publikuar rekomandime jo vetëm se si shtetet mund të zvogëlojnë rreziqet dhe të përkrahin viktimat, por edhe udhëzime specifike se si të reduktohet trafikimi që lehtësohet nga teknologjia.

Dhe ka akoma më tepër që ne bëjmë – nga organizimi i uebinarëve për gazetarët mbi rreziqet e sigurisë kimike, tek angazhimi i ekspertëve që analizojnë dëmet mjedisore dhe propozojnë zgjidhje për rehabilitimin mjedisor. Ne shikojmë gjithashtu se si lufta mund të prekë pjesë të ndryshme të popullsisë, veçanërisht gratë dhe vajzat. Ne punojmë ngushtë me partnerët tanë, duke dhënë udhëzime praktike për ofruesit e shërbimeve për të mbijetuarit e dhunës me bazë gjinore.

Ne do të vazhdojmë ta përdorim përvojën dhe ekspertizën tonë për të përkrahur Ukrainën sot dhe në të ardhmen.

Në rajon kishte frikë se konflikti do të përhapej në vende të tjera evropiane, përfshi Ballkanin. Cili është mendimi juaj, a ekziston një rrezik i tillë?

Lufta kundër Ukrainës duhet të ndalet. Ajo vazhdon të ketë një kosto të tmerrshme njerëzore, duke shkaktuar vuajtje të paimagjinueshme për miliona njerëz.

Po i shohim efektet e luftës kundër Ukrainës në fqinjësi dhe më gjerë, dhe ajo ka përkeqësuar perspektivat ekonomike për shoqëritë në të gjithë rajonin. Qeveritë po përballen me sfida serioze për të zbutur pasojat socio-ekonomike të konfliktit. Operacionet në terren të OSBE-së po ndjekin nga afër situatën dhe po përshtatin punën e tyre sipas nevojës për të vazhduar që të ofrojnë përkrahje të bazuar në nevojat reale me të cilat përballen qeveritë dhe komunitetet çdo ditë.

OSBE e shikon sigurinë përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse, për të ndihmuar në rritjen e aftësisë së shteteve dhe shoqërive ndaj sfidave socio-ekonomike dhe të sigurisë. Për shembull, operacionet në terren të OSBE-së në rajon po punojnë me autoritetet lokale për të luftuar trafikimin e paligjshëm të armëve të vogla dhe të lehta. Ne gjithashtu mbështesim pajtimin dhe kontaktin ndërmjert njerëzve. Me një prani në mbarë Evropën Juglindore, OSBE është veçanërisht në pozitë të mirë për të punuar në projekte të tilla, si dhe për të vazhduar të jetë aktive në parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve.

OSBE ka monitoruar zgjedhjet e fundit të mbajtura në vend, zgjedhjet lokale në tetor të vitit të kaluar. A keni dhënë rekomandime, çfarë është zbatuar deri më tani, çfarë duhet bërë dhe cilat janë vlerësimet tuaja për proceset reformuese në vend?

Zgjedhjet lokale të tetorit të kaluar u vëzhguan nga Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) – një institucion i pavarur i OSBE-së që ka 30 vjet përvojë me zgjedhjet. Ata publikuan raportin përfundimtar për zgjedhjet lokale në mars të këtij viti, ku përfshihen të gjeturat dhe rekomandimet e tyre.

Më lejoni të shtoj se përparimi i bërë nga Maqedonia e Veriut në miratimin e legjislacionit të reformës kyçe në vitet e fundit është shumë i rëndësishëm. Zbatimi i këtyre reformave do të mbështesë rritjen socio-ekonomike, do të forcojë institucionet dhe do të përmirësojë jetën e qytetarëve tuaj, si dhe besimin e tyre te qeveria. OSBE-ja, dhe veçanërisht Misioni ynë në Shkup, është atje për të përkrahur vendin.