Maqedonia t’i vazhdojë reformat ekonomike, porositin Gir dhe Besimi
Shkup, 26 maj – Synimet e politikave për Maqedoninë e Veriut në vitin 2022 fokusohen në sigurimin e përkrahjes për amvisëritë dhe kompanitë e ndjeshme në periudhë afatshkurtër; dhe për konsolidimin afatmesëm të buxhetit. BE-ja ka vendosur të ndërmarrë më shumë përgjegjësi mbi sigurinë e saj dhe të ndërmarrë hapa të mëtejshme vendimtare drejt krijimit të rezistencës në Evropë. Kjo nënkupton uljen e kushtëzimit, krijimin e modelit të ri të rritjes dhe investimeve për vitin 2030, si dhe zhvillimin e diversifikimit më të madh energjetik. Partnerët tanë inkurajohen të ndjekin këtë shembull, theksoi euroambasadori Gir në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Financave Fatmir besimin.
Në konferencën për shtyp Giri dhe Besimi i prezantuan konkluzionet e përbashkëta thelbësore të Dialogut ekonomik dhe financiar ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, të cilat u miratuan në Bruksel më datë 24 maj të vitit 2022, ku filluan aktivitetet përgatitore për Programin e ardhshëm të reformave ekonomike (PRE) për periudhën 2023-2025.
“Krijimi i rezistencës ekonomike në periudhë afatgjate përmes përshpejtimit të tranzicionit të gjelbër dhe dixhital në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, duke përfshirë edhe shfrytëzimin e duhur të përkrahjes financiare të BE-së përmes Instrumentit për ndihmë paraaderuese dhe Fondit evropian për zhvillim të qëndrueshëm. Në kushtet e pasigurisë së madhe në lidhje me pandeminë dhe ndikimin e invazionit rus në Ukrainë, gatishmëria për sigurimin e përkrahjes së mirëorientuar, transparente dhe të përkohshme për amvisëritë dhe kompanitë e ndjeshme, nëse nevojitet është e domosdoshme”, theksohet, mes tjerash, në konkluzionet.
Rekomandimi është, pas rimëkëmbjes ekonomike, në periudhë afatmesme, politika fiskale duhet të fokusohet më shumë mbi zvogëlimin e deficitit dhe borxhit, si dhe mbi përforcimin e baferëve fiskalë.
Siç u tha në konferencën për shtyp, reformat prioritare strukturore të dakorduara në dialog përfshijnë vendosjen e shpejtë të rregullave fiskale dhe krijimin e Këshillit fiskal që bazohet në progresin e arritur gjatë përpilimit të Ligjit të ri për buxhetet; zbatimin e Strategjisë për reforma në sistemin tatimor me masat për rritjen e të hyrave; si dhe përmirësimin e menaxhimit me investimet publike. Për rikuperimin, do të kontribuojnë edhe përpjekjet e mëtejshme për të luftuar korrupsionin, përmirësimi në sundimin e ligjit, përforcimi i transparencës dhe përforcimi i institucioneve, si dhe dialogu social.
Përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së, ministrat e Financave të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane, si dhe përfaqësuesit e bankave qendrore të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë u takuan në fillim të kësaj jave në Bruksel në kuadër të dialogut vjetor ekonomik dhe politik. Qëllimi i këtij dialogu është që ta përgatisë Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë për pjesëmarrjen e tyre të ardhshme në Semestrin Evropian, i cili është niveli më i lartë i koordinimit të politikave ekonomike të Bashkimit Evropian. Zëvendësministri i Financave, Filip Nikolloski dhe zëvendësguvernatorja e Bankës Qendrore, Emilija Nacevska e përfaqësuan vendin tonë në Bruksel.

