Maqedonia e Veriut siguroi strehim të përkohshëm për 68 afganë
Shkup, 24 mars – Maqedonia e Veriut në përputhje me aktivitetet dhe detyrimet e marra me anëtarësimin në NATO, ka siguruar strehim të përkohshëm për 68 afganë, aleatë tanë të cilët paraprakisht kanë qenë të angazhuar nga NATO-ja gjatë misionit në Afganistan.
Këta persona, theksojnë nga MPJ janë pjesë e grupit më të madh të afganëve të cilët kanë qenë të vendosur në bazën “Behtel” (Bechtel Facility) në Kosovë nga ku të gjithë afganët e evakuuar nga Kabuli janë shpërndarë përkohësisht mes shteteve anëtare të NATO-s. Këtyre personave, në vendin tonë u është siguruar strehim i përkohshëm deri në rregullimin e dokumentacioneve për në destinacionet përfundimtare me çka dhe u përcaktohet vendbanimi i tyre i përhershëm.
“Me këtë hap, Maqedonia e Veriut, si partner kredibil i NATO-s edhe një herë dëshmoi solidaritet në mbrojtjen e aleatëve tanë nga Afganistani të cilët për shkak të rrezikut për jetën dhe sigurinë e familjeve të tyre nuk mund të kthehen në Afganistan”, thonë në MPJ.
Duke siguruar strehim të përkohshëm edhe për këtë grup afganësh, numri i përgjithshëm i civilëve afganë të cilëve Maqedonia e Veriut u ka ofruar qëndrim të përkohshëm kalon mbi 800 persona më shumë se gjysma e të cilëve tashmë janë larguar nga Maqedonia e Veriut dhe janë drejtuar kah destinacionet e tyre përfundimtare.
“Gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm në Maqedoninë e Veriut, afganëve u është ofruar ndihmë dhe mbështetje nga institucionet shtetërore dhe organizatat joqeveritare duke e bërë kështu vendin pjesë të aksionit humanitar global për t’i ndihmuar afganët të cilët me përkushtim kanë punuar në avancimin e proceseve demokratike në Afganistan ose kanë qenë të angazhuar nga ana e organizatave dhe agjencive ndërkombëtare”, theksojnë nga MPJ.

