Maqedonia e Veriut pjesërisht e lirë, korrupsioni dhe gjyqësori pengesat kryesore!

Shkup, 10 mars – Një prej organizatave më të rëndësishme ndërkombëtare “Freedom House” ka bërë publik raportin për Maqedoninë e Veriut dhe shtetet tjera në të cilin konstatohet se Maqedonia e Veriut vijon të mbetet si shtet “pjesërisht i lirë”, progres ka arritur vetëm për vetëm një pikë, edhe atë me 68 pikë nga gjithsej 100. Kjo flet qartazi se Maqedonia e Veriut ka stagnuar në vend, dhe po i pëlqen pozita e të qenurit pjesërisht i lirë. Sepse, për dallim prej RMV-së, Kosova kishte arritur progresin më të madh në krahasim me gjitha vendet e rajonit, me 4 pikë. Kjo duhet të shfrytëzohet si model që e njëjta të aplikohet edhe më RMV. Por, kusht për të pasur rezultate të mira është çlirimi dhe pavarësimi gjyqësorit. Kjo mbase orienton rezultatet në drejtim të lirive të qytetarëve. Korrupsioni dhe transparenca problematikat kryesore të vendit që në të njëjtën kohë shkaktojnë edhe pengesa si në integrim ngjashëm edhe në raporte tjera ndërkombëtare. Trajtimi i barabartë përballë ligjit për të gjithë qytetarët pa dallim kjo situatë tani për tani mund të jetë vetëm çështje imagjinare dhe jo reale. Sepse, në Maqedoninë e Veriut qytetarët përballë ligjit vendosen varësisht cilës etni i përkasin, shkruan Zhurnal.

Maqedonia e Veriut shtet pjesërisht i lirë-

Maqedonia e Veriut vijon të cilësohet si shtet “pjesërisht i lirë” edhe në raportin e fundit të “Freedom House” ndërsa progres ka arritur vetëm për vetëm një pikë, edhe atë me 68 pikë nga gjithsej 100.

Ndërkaq sipas sektorëve, vendi ka gjithsej 29 pikë nga 40 të mundshme për të drejtat politike dhe 39 nga 60 pikë për liritë qytetare, në të cilën bën pjesë mbrojtja nga korrupsioni, transparenca e qeverisë, liritë e organizimit sindikal, pavarësisë së gjyqësorit, procese të drejta qytetare dhe penale, trajtim i barabartë i qytetarëve para ligjit si dhe të drejtat individuale dhe sociale.

Nga kjo kuptohet që Maqedonia e Veriut ende është në labirinte dhe vështirë të dalë nga situata në të cilat raportet e tilla do ta vlerësonin si shtet plotësisht i lirë, si për të drejtat politike ngjashëm edhe për liritë qytetare. Transparenca vazhdon të mbetet peng i bartësve të funksioneve publike. Sepse, e kanë të vështirë të jenë transparent dhe llogari-dhënës në të njëjtën kohë pasi nuk kanë se si t’i mbulojnë të bëmat e tyre.

Kosova shënon përmirësim për katër pikë, gjë që duhet të shërbej si model edhe për Maqedoninë e Veriut –

Siç tregohet në faqen zyrtare të “Freedom House”, Kosova tashmë ka shkuar në kuotën e 60 pikëve nga 100 sa janë, derisa në raportin e publikuar në vitin 2022 kishte qenë në kuotën e 56 pikëve.

Me këtë përformancë dhe nivel të lirisë, Kosova konsiderohet si vend pjesërisht i lirë, përfshirë të drejtat politike dhe ato civile.

Ndërkohë nga vendet e rajonit, Serbia ka shënuar regres me -2 pikë dhe Bosnja e Hercegovinë me -1 pikë. Shqipëria dhe Mali i Zi kanë mbetur në pozitën e njëjtë, derisa Maqedonia e Veriut ka shënuar një përmirësim me +1 pikë.

Kujtojmë që, pikët më të larta në rajon në këtë raport të “Freedom House” i ka marrë Sllovenia ndërkaq më të ulëta  Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.

Kjo është dëshmi se si shteti më i ri në rajon të shënojë progresin më të madh për sa i përket të drejtave politike dhe lirive qytetare. Pra, është Kosova shteti i vetëm që ka arrite një rritje prej katër pikëve.

Prandaj, Maqedonia e Veriut në këtë situatë duhet ta shfrytëzojë Kosovën si model për shënim të progresit në këtë drejtim. Qeverisja Kurti në Kosovë, presidenca në krye me Vjosa Osmanin po dëshmohet si po i japin tjetër ngjyrim Kosovës, duke krijuar një imazh tejet pozitiv si në rajon ashtu edhe në botë.

Lëvizjet e tilla tregojnë dhe flasin qartazi se shteti është i gatshëm dhe i vendosur se ndryshimet e tilla janë të domosdoshme dhe vitale për zhvillim dhe përparim. Kosova këtë e dëshmoi edhe njëherë në praktikë dhe jo vetëm me fjalë boshe.

Në Maqedoninë e Veriut secili politik i dytë fletë për të drejta dhe liri të qytetarëve, por kur vjen në shprehje transparenca dhe llogari dhëni atë gjithë stepen dhe nuk ndërmarrin asnjë veprim konkret në këtë drejtim. Mes tjerash Maqedonia e Veriut do të ketë edhe regres përderisa gjyqësia në vend vepron dhe merr vendime varësisht përkatësisë etnike.

Të gjithë qytetarët të barabartë përballë ligjit kjo tezë nuk vlen dhe nuk hy në punë në RMV pasi shumica e ligjeve janë përzgjedhës të qytetarëve se cilës etni i takojnë. Gjyqësia duhet të pavarësohet njëherë e përgjithmonë dhe qytetarët duhet të ndihen të lirë e të barabartë në vend, vetëm në këtë formë mund të arrihet progresi i dëshiruar. /Zhurnal.mk