Maqedonia e Veriut mbetet ende peng i regjimit hibrid
Shkup, 21 prill – Maqedonia e Veriut edhe këtë vit, shtet me regjim hibrid. Sipas Freedom House, vendi ka qenë në këtë pozicion që nga viti 2013, këto të dhëna vijnë nga analizat e progresit demokratik në 29 shtete në tranzicion, shkruan Zhurnal.
“Këtë vit, për herë të parë në shekullin e 21-të, forma e qeverisjes që mbizotëron në rajonin e kombeve në tranzicion është një regjim hibrid. Katër shtete demokratike kanë rënë në këtë zonë gri që nga fillimi i një periudhe të vazhdueshme të rënies demokratike në vitin 2004: Hungaria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Në të njëjtën periudhë, tre regjime autoritare ndërmorën hapa demokratikë dhe iu bashkuan radhëve të regjimeve hibride: Moldavia, Kosova dhe tani Armenia”, thuhet në raport.
Raporti thotë se ndërsa këto vende mund të kenë zgjedhje demokratike, institucionet jofunksionale ende nuk janë gjendje të ofrojnë demokraci, si kontrollet, balancat, shteti i së drejtës dhe mbrojtja e fortë e të drejtave dhe lirive.
Freedom House thekson gjithashtu se kriza ofron mundësi për të rishqyrtuar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Blloku duhet të fillojë përfundimisht bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke i bërë presion Bullgarisë që të heqë veton e saj ndaj Maqedonisë së Veriut.
Efikasiteti dhe pavarësia e sistemit gjyqësor mbesin shqetësime që e shoqërojnë Maqedoninë e Veriut edhe këtë vit. Kjo u vërtetua edhe pas një hulumtimi tjetër ku besimi i qytetarëve në organet e drejtësisë është vetëm 8%.
“Të drejtat e procesit të rregullt ligjor mbeten të rrezikuara nga korrupsioni dhe patronazhi brenda sistemit të drejtësisë, në të cilin publiku ka pak besim. Problem mbetet ndërhyrja politike në punën e prokurorëve. Zbatimi selektiv i drejtësisë vazhdon gjithashtu, ndonëse Qeveria ka kryer disa reforma për të përmirësuar këtë çështje”, thekson raporti.
Ndërkaq, media dhe shoqëria civile marrin pjesë në diskursin e fuqishëm publik, gazetarët dhe aktivistët ende përballen me presion dhe frikësim.
“Peizazhi mediatik është thellësisht i polarizuar përgjatë linjave politike dhe mediat private janë shpesh të lidhura me interesa politike ose biznesore që ndikojnë në përmbajtjen e tyre”, thotë raporti.
Megjithatë, thuhet se funksionon një koleksion i gjerë mediash kritike dhe të pavarura, kryesisht online.
Në raport përmendet edhe ish kryeministri Nikolla Gruevski për të cilin thuhet se ka anashkaluar normat liberale me blerjen e votave, përgjim të kundërshtarëve dhe duke rezistuar kundër çfarëdo mekanizmi të transparencës apo përgjegjësisë.
Sulmi në Kuvend në vitin 2017 i organizuar nga VMRO-DPMNE, përmendet si parangjarje për sulmin e Kongresit të SHBA-ve më 6 janar në vitin 2021.
Nga Aleanca për Shqiptarët mbi raportin e publikuar të Freedom House thonë se ky raport konfirmon ASH-në e cila thotë se Maqedonia e Veriut është regjim hibrid sikurse në kohën e Gruevskit.
“Freedom House sot vulosi Maqedoninë e Veriut si regjim hibrid, ndërsa konfirmoi të gjitha vlerësimet dhe paralajmërimet e Aleancës për Shqiptarët përgjatë qeverisjes LSDM-BDI. Falë veprimeve të Qeverisë aktuale, vendi ynë mbetet në të njëjtën pozitë si në kohën e Nikolla Gruevskit, duke konfirmuar se Gruevizmi është gjallë edhe pse Gruevski nuk është tanimë këtu”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
Ajo që është pozitive nga ky raport është thirrja që Bullgaria ta tërheq veton për Maqedoninë e Veriut, dhe vendit t’i hapet rrugë për marrjen e datës për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian. Një gjë e tillë do të kishte minuar gjitha këto veti negative të cilat po mbajnë peng të regjimit vendin tonë. Por sërish është e rëndësishme që udhëheqësit politikë mos të flasin me patetizëm në kohë zgjedhjesh me gojën plotë demokraci përderisa raporti e cilëson vendin si regjim hibrid, është e nevojshme që secili të ndjej obligim moral e përgjegjësi që vendi të ndryshojë e të dalë nga labirinthet e regjimit./Zhurnal.mk

