“Maqedonia e Veriut ka rënë në humnerë”, shpëtim i vetëm a janë zgjedhjet?

Shkup, 23 qershor – Se kjo qeveri nuk është e qëndrueshme është dëshmuar nga fundi i vitit të kaluar kur rrezikonte të rrëzohej në çdo moment ishte një deputet që e ka shpëtuar, por ky shpëtim nuk garantonte edhe funksionimin normal, kriza politike në vend vazhdoi ende. Nga janari e deri tani në qershor nuk ka mbetur sindikatë apo punëtor që nuk ka protestuar për të kërkuar rritje të pagave, vendi është thelluar në krizë ekonomike ku çmimet edhe të produkteve bazë kanë arrit majat, me këtë jeta e qytetarëve po vështirësohet madje po bëhet e pa përballueshme. Politika e brendshme është në kaos Kuvendi në bllokadë aktive, krizë ekonomike dhe energjetike, ndërkaq politika e jashtme është në prag të shënimit të një dështimi të radhës, për sa i përket marrjes së datës për fillim të negociatave me BE-në. Nga ana tjetër vetoja bullgare, propozimi francez, protesta nga opozita maqedonase, protesta nga Lidhja e Sindikatave, këto janë tregues që vendi patjetër duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme edhe përkundër frikës së pushtetit nga zgjedhjet, shkruan Zhurnal.

Zgjedhjet e parakohshme vijnë në kohën që vendi ndodhet në një ngërç politik e krizë të thellë ekonomike, pra kryesisht kur është në një rrugë pa dalje, e dalje e vetme shihet shkuarja në zgjedhje të parakohshme. Nga pushteti thonë që zgjedhjet e parakohshme nuk janë zgjidhje e problemit, ata automatikisht pranojnë se në shtet ka problem e pengesë në funksionim por që për interesa klanore e partiake nuk duan të shkojnë në zgjedhje sepse rrezikojnë humbjen e kalimin nga pushteti në opozitë.

Nga opozita zgjidhje të vetme të kësaj krize të shumëfish e shohin vetëm shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, e për këtë nuk kanë vetëm kërkesa verbale, pasi së fundmi opozita maqedonase VMRO-DPMNE ka dalë në rrugë për protestuar dhe për të kërkuar zgjedhje të parakohshme, sipas tyre kjo qeveri keq menaxhuese duhet të largohet nga pushteti.

Pakënaqësia e shprehur vetëm në mënyrë verbale e në pres konferenca u përkthye me reagim praktik në rrugë ashtu si e kërkon edhe opozitarizmi i vërtetë. Nën moton “Protestë për Ndryshim- Shumë Është”, më 18 qershor ka protestuar partia më e madhe opozitare maqedonase VMRO-DPMNE.

Partia opozitare, vendimin për protestën e mori më datën 17 të muajit të kaluar, duke dërguar kritika për pushtetin për siç thanë ata, paaftësinë në përballje me krizën ekonomike dhe financiare e shoqëruar me rritje të vazhdueshme të çmimeve dhe përqindje të lartë të inflacionit, rritje të borxhit publik, diplomaci joefikase dhe jo përgjegjëse për fillimin formal të bisedimeve për anëtarësim me BE-në. VMRO, edhe në këtë protestë ka kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare, me qëllim që të ndodhë ndryshimi.

Se ka pakënaqësi ndaj kësaj qeverisjeje nuk është vetëm protesta e partisë opozitare, i gjithë sektori publik nga dje është futur në grevë. Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë ka zbatuar grevën e paralajmëruar të përgjithshme në sektorin publik me të cilën kërkohet rritje lineare e pagave për 2806 denarë dhe kthim i së drejtës për pushim vjetor.

Dje vendosi 120 vende bosh para Kuvendit, duke dashur t’u kujtojë deputetëve që të pranojnë amendamentin me të cilin kërkohet në ribalancin e Buxhetit të ndahen mjete për rritjen lineare të pagave dhe për sot ka paralajmëruar se do të vendosë 21 karrige para Qeverisë. Greva do të mbahet çdo ditë nga ora 10 deri në 11, në mënyrë që të punësuarit në sektorin publik në atë periudhë të ndërpresin procesin e punës dhe të dalin jashtë dhe vetëm dhjetë për qind prej tyre do të punojnë aty ku duhet për raste urgjente.

Nuk është kjo e tëra, po në të njëjtën javë ka pasur edhe protestë tjetër para Qeverisë e për arsye krejtësisht tjera, por kryesisht për të shprehur revoltë dhe pakënaqësi. Qytetarët e pranishëm në protestë kanë protestuar për të shprehur qëndrimin e tyre që janë kundër pranimit të propozimit francez të cilin e konsiderojnë në kundërshtim me interesat kombëtare maqedonase.

Kujtojmë që, propozimi francez, zyrtarisht nuk është publikuar as në Sofje e as në Shkup, por bazuar në mediat bullgare dhe prononcimet jozyrtare në të dyja vendet, propozimi përmban të gjitha kërkesat bullgare, përveç gjuhës maqedonase. Dhe, është paraparë që me ndihmën e këtij propozimi të hiqet vetoja bullgare, dhe t’i hapet rruga euro-integruese Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

A po frikësohen partitë në pushtet nga zgjedhjet e parakohshme?

Protesta nga opozita, protesta nga qytetarë, grevë nga sektori publik, dështim në politikën e jashtme mos marrje të datës për fillim të negociatave, dështim në negociatat me Bullgarinë kontesti mbetet i hapur, krizë e thellë ekonomike, rritje e çmimeve edhe të produkteve bazë që kjo rritje është e pa përballueshme për qytetarët, janë këto disa prej shumë arsyeve tjera që dëshmojnë se vendi nuk është duke ecur në drejtimin e duhur dhe që nevojiten zgjedhje të parakohshme.

Por sërish partitë në pushtet e kanë të vështirë ta pranojnë kërkesën e partive opozitare për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, dhe kundërshtojnë fuqishëm duke deklaruar se tani nuk është koha. Megjithatë a kanë frikë këta parti të shkojnë në zgjedhje të parakohshme me që nuk pranojnë as takim liderësh për të diskutuar për këtë çështje.

Partitë në pushtet konsiderohet se janë të zgjedhur me vullnetin e popullit dhe e gëzojnë besimin e dhënë dhe të njëjtin e mbajnë edhe gjatë qeverisjes, në momentin që diskutohet për testim të këtij besimi këto refuzojnë, sepse frikësohen apo përshkak se një besim të tillë nuk e gëzojnë me plotë kuptimin e fjalës.

LSDM mbase ka edhe arsye më të fortë që të frikësohet nga zgjedhjet sepse ka pësuar debakël në zgjedhjet e fundit lokale të vitit të kaluar. Ngjashëm, edhe BDI si partia më e madhe shqiptare e më jetëgjatë qeveritare ka humbur në komunat më të banuara me shqiptarë, Tetovë e Gostivar. Ndërkaq, partneri i tretë i koalicionit Alternativa mund edhe të mos frikësohet nga zgjedhjet e parakohshme sepse nuk ka humbur asgjë, jo se kanë kaluar mirë në zgjedhje por sepse nuk kanë pasur çfarë të humbin, pra për këtë parti edhe shkuarja në zgjedhje është në favor të tyre, ndërkaq qëndrimi në pushtet i mundëson shfrytëzimin e favoreve të pushtetit. /Zhurnal.mk