Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria sot me seancë të përbashkët qeveritare
Shkup, 14 nëntor – Qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë sot në Shkup do të mbajnë seancë ndërqeveritare, ku do të mbajnë fjalime zyrtare kryeministrat Dimitar Kovaçevski dhe Edi Rama.
Në seancën ndërqeveritare do të mbahet edhe ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve dhe memorandumeve nga ana e ministrave të dy qeverive, me qëllim thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë janë në nivel jashtëzakonisht të lartë, njëjtë siç janë në nivel shumë të lartë edhe me vendet e tjera fqinje”, deklaroi dje kryeministri Dimitar Kovaçevski pas vizitës në stacionin policor të rinovuar në Gazi Babë.
Qytetarët, shtoi ai, mund të presin takim mes dy qeverive, në një atmosferë jashtëzakonisht pozitive.
“Ministritë tashmë kanë përgatitur një numër të madh të memorandumeve dhe vendimeve për bashkëpunim, të cilat nesër jo vetëm që do të shqyrtohen, por edhe do të nënshkruhen së bashku me ministrat nga Shqipëria”, theksoi Kovaçevski.[
Kryeministri u shpreh se për të gjithë rrjedhën e mbledhjes për seancën e përbashkët të qeverisë mediat vazhdimisht do të jenë të informuara. Më vonë, siç tha ai, me siguri do të ketë edhe konferencë për media me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

