Maqedonia e Veriut bëhet fqinj i mirë, zgjidh problemin me Serbinë pas atij me Greqinë, kontest i hapur mbetet vetëm me Bullgarinë

Shkup, 25 maj – Në Ditën e shenjtorëve sllav Kiril dhe Metodi, kreu i KOM-AO, arqipeshkvi i Ohrit dhe Maqedonisë Stefan dhe kreu i KOS patriarku serb Porfir mbajtën liturgji të përbashkët në kishën “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup. Ky nuk ishte takim i zakonshëm e pa rezultat, sepse pas liturgjisë u vendos që Kisha Ortodokse serbe ta njeh atë maqedonase, dhe me këtë mbyllet një problem i hapur me vite të tëra mes dy kishave. Maqedonia e Veriut dikur kishte problem me Greqinë për emrin, me Serbinë problem fetar për kishën, por që të dyja problemet morën epilog dhe janë mbyllur. Deri në këto momente problemi më i madh ka ngelur me Bullgarinë për çështjet historike. Kontest që ende është i hapur dhe vendimtar për hapjen e rrugës së MV për integrim në BE, shkruan Zhurnal.

Maqedonia e Veriut ishte një nga shtetet e Ballkanit Perëndimor më karakteristik e rast specifik për sa i përket raportit me shtetet fqinjë, në të njëjtën kohë kishte tre probleme të ndryshme me tre shtete fqinjë të ndryshëm. Me Greqinë e kishte problemin e hapur me vite të tëra për sa i përket çështjes së emrit, mirëpo pas një periduhe të gjatë kohore dhe pas rrëzimit të nacionalistes maqedonase nga pushteteti VMRO-DPMNE u krijuan kushtet që me social demokratet e LSDM-së të arrihet një marrëveshje përfundimtare që të zgjidhet ky kontest. Kështu që më 27 qershor 2018 u nënshkrua Marrëveshja e Prespës mes Maqedonisë atë kohë dhe Greqisë, marrëveshja e cila produkt final kishte pranimin e kushteve greke nga pala e Maqedonisë për ndryshim të emrin në Maqedonia e Veriut dhe heqje dorë nga heronjtë e lashtë grek të cilit ishin paraqitur si heronj maqedonas.

Dy vite më vonë si rezultat i kësaj marrëveshjeje Maqedonia e Veriut bëhet shteti i 30 anëtarë në Aleancën më të fuqishme ushtarake në botë NATO. Tregues se marrëveshjet e tilla sjellin produktivet dhe rezultat konkret në dobi të vendit e qytetarëve.

Mirëpo pas kësaj marrëveshje Maqedonia e Veriut nuk i qëroi llogaritë edhe me dy shtetet tjera për dy problemet tjera krejtësisht të ndryshme, me Serbinë atë fetar, dhe me Bullgarinë atë historik.

Megjithatë, Maqedonia e Veriut si shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në momentet që ishte përgatitur terreni për të marrë datë për fillim të negociatave me BE-në, dy herë ishte vetoja bullgare ajo e cila po i shkakton bllokadë e ngecje edhe sot e kësaj dite. Edhe krahas ndryshimeve të figurave politike sërish deri te një marrëveshje përfundimtare është e vështirë të arrihet pasi nuk ka sinjale pozitive edhe pse samiti qershorit është afruar. Tani për tani mbetet i hapur vetëm ky kontest pra me Bullgarinë që Maqedonia e Veriut të jetë shtet pa probleme me asnjë prej shteteve fqinjë.

Ndërkaq, sa i përket problemit të tretë me Serbinë për çështjen e Kishës Ortodokse që nuk e njihte Kishën Ortodokse maqedonase, ky problem i gjatë tashmë ka marrë fund dhe ky kontest mes dy kishave dhe shteteve është zgjidhur.

Kisha Ortodokse Serbe e ka miratuar autoqefalinë e Kishës Ortodokse Maqedonase – Arqipeshkvia e Ohrit, pas 55 vitesh përçarje të ndërsjellë. Patriarku serb Porfirij, pas liturgjisë së dytë të përbashkët, mëngjesin e sotëm në Shkup, me “lajm të gëzuar” i përshëndeti mijëra besimtarët të ardhur nga më shumë qytete në Maqedoninë e Veriut. Dalja e Kishës Ortodokse Maqedonase nga izolimi vjen disa javë pasi Patriarkana Ekumenike me seli në Stamboll e ka njohur atë si kanonike, por edhe pas letrave të hapura dhe kërkesave të autoriteteve shtetërore për zgjidhjen e çështjes kishtare, si një nga shtyllat e identitetit kombëtar maqedonas.

Kreu i Kishës Ortodokse Serbe (KOS), patriarku serb Porfir, tha se dashuria e besimtarëve i tejkaloi tundimet dhe i mundësoi Zotit të bënte mrekulli, t’u tregonte popujve se ata kanë nevojë për njëri-tjetrin, se pa njëri tjetrin nuk munden.

“Dhe tani, vëllezër dhe motra, ju sjellim një gëzim tjetër – Këshilli i Shenjtë i Ipeshkvijve të Kishës Ortodokse Serbe njëzëri dhe me vendosmëri e plotësoi kërkesën e Kishës Ortodokse Maqedonase – Arqipeshkvia e Ohrit; Këshilli i kishës sonë bekon, miraton, pranon dhe njeh autoqefalinë e KOM-AO”, tha patriarku serb Porfir.

Pak ditë pas njohjes, më 19 maj, në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, patriarku serb Porfir dhe arqipeshkvi i Ohrit dhe Maqedonisë, Stefani, me hierarkët e dy kishave mbajtën liturgjinë e pajtimit. Siç u theksua atëherë, me liturgjinë, pas 55 vjet përçarje, u rivendos uniteti liturgjik dhe kanonik ndërmjet KOM-AO dhe KOS-it.

Kujtojmë se, të dyja kishat, ajo serbe dhe maqedonase ndodhen në një kontest që ka zgjatur rreth 55 vjet, pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kishës Ortodokse Maqedonase, në vitin 1967, por autoqefalia e kësaj kishe nuk është njohur nga asnjë kishë lokale apo në rajon.

Ajo që vlen të theksohet është se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, para dhe pas çdo takimi me krerët e shtetit të pavarur të Kosovës mbi çështjen e dialogut Kosovë – Serbi takohet me përfaqësues të Kishës Ortodokse serbe për konsultim dhe raportim.

Trekëndëshi i problemeve për Maqedoninë e Veriut, me Greqinë, Serbinë e Bullgarinë, ka mbetur vetëm me një kënd atë të Bullgarisë që po vazhdon ende të mbetet i hapur konteste dhe të rritet doza e pesimizmit për një marrëveshje të mundshme deri në fund të qershorit. Kjo me automatizëm rrit edhe euro-skepticizmin e qytetarëve për inkuadrim në Bashkimin Evropian. /Zhurnal.mk