Maqedonia dhe Turqia me marrëveshje për bashkëpunim ushtarak financiar

Shkup, 17 gusht – Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska sot është në vizitë një-ditore në Turqi, ku do të ketë takim me Ministrin e Mbrojtjes Kombëtare Hulusi Akar në të cilin në emër të qeverive të dy vendeve do të nënshkruajnë marrëveshje pesëvjeçare për bashkëpunim ushtarak-financiar.

Marrëveshja, siç theksojnë nga Ministria e Mbrojtjes, parashikon një ndarje vjetore të mjeteve nga Turqia për Maqedoninë e Veriut, të cilat do të përdoren për t’i forcuar aftësitë luftarake, për të prokuruar pajisje artilerie dhe për të modernizuar Ushtrinë.

Në takim do të diskutohet edhe për planet e ardhshme për bashkëpunim në mbrojtje, arsim, trajnim dhe stërvitje në përputhje me Marrëveshjen për Bashkëpunimin Bilateral për 2021.

Shekerinska gjithashtu do të marrë pjesë në hapjen e Panairit Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes IDEF 21, i cili po mbahet në Stamboll nga 17 deri në 20 gusht.

“Prania në panairin IDEF 21 të delegacionit nga Maqedonia e Veriut i udhëhequr nga Ministrja Shekerinska është me qëllim për të parë mundësitë për prokurimin e pajisjeve të reja për modernizimin e Ushtrisë sonë, për të cilën këtë vit janë destinuar 25 për qind nga buxheti në mbrojtjen”, theksojnë nga Ministria.

Panairi i industrisë mbrojtëse të Turqisë, shtojnë, është ndër kryesorët në botë ku paraqiten arritjet më të larta teknologjike në pajisjet ushtarake. Pritet në panair të marrin pjesë rreth një mijë kompani vendase dhe të huaja dhe 400 delegacione.