Makpetroll: Furnizimi me karburant do të normalizohet në ditët në vijim

Shkup, 7 mars  – Furnizimi me të gjitha llojet e karburanteve në pompat e “Makpetrollit” do të normalizohet në ditët në vijim. Situata në tregjet globale të naftës po ndryshon çdo ditë, çmimet janë vazhdimisht në rritje, ndërsa si rezultat i kësaj, furnitorët po përballen me probleme me dërgimin në kohë të karburanteve tek partnerët e tyre, thonë nga kompania.

“Kërkesa për karburante në vend ditët e fundit është rritur jashtëzakonisht shumë dhe ndër arsyet kryesore për këtë janë spekulimet dhe zërat në opinion se do të ketë mungesë, si dhe çmimet në bursat botërore. Gjithashtu, furnizimi ishte i vështirë për shkak se distributori ynë “Okta” nuk punon të dielën. Gjithashtu, në Greqi, ku blihet karburanti, e diela është ditë jopune dhe kjo e hënë është festë kombëtare. E gjithë kjo ka ndikuar në mungesën e përkohshme të derivateve të naftës në disa nga pompat tona të benzinës”, theksojnë nga “Makpetroll”.

Ata theksojnë se sot në orët e hershme të mëngjesit kanë siguruar të gjithë karburantin në dispozicion nga “Okta” dhe shtojnë se gjatë ditës dhe natës do të dorëzohet në lokacionet e “Makpetroll”.