Mafia ka mbështetjen e pushtetarëve
Shkup, 30 korrik – Në një intervistë për “Fokus”, presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski duke komentuar pushtetin aktual thotë se për momentin nuk ka marrë asnjë informacion se ndonjë politikan ka diktuar aktgjykim përmes telefonit, siç kemi pasur raste në të kaluarën.
I pari i shtetit thotë se në qeverinë e tanishme, më tepër ndikim në gjyqësor kanë oligarkët.
“Po të mos ishin “bombat” e Zaevit, nuk do ta dinim që kjo ka ndodhur masivisht në atë periudhë. Vlerësimi im është se gjatë kësaj qeverie, në lidhje me rastet e profilit të lartë, ndikimi i qendrave të pushtetit ekonomik është shumë më i madh se ai i pushtetit politik. Oligarkët në Maqedoni janë më me ndikim dhe më lehtë ndikojnë në gjyqësor se sa politikanët” thotë kreu i shtetit.
Në kuadër të situatës së keqe në gjyqësor, problemin e mungesës së zbardhjes së rasteve e lokalizon në një numër të madh likuidimesh mafioze, duke iu përgjigjur pyetjes “a është mafia më e fuqishme se shteti”, ai thotë:
“Jo, e keqja është se në këto raste shihet se mafia ka mbështetje nga njerëz të fuqishëm të aparatit shtetëror. Nëse nuk e ndjek penalisht një vrasje të kryer para dëshmitarëve, do të thotë që dikush mjaft i fuqishëm ka thënë – mos e ndjek penalisht”, shton Pendarovski.

