Lula: Politikanët duhet të përgatiten për dhunë politike

Favoriti i zgjedhjeve presidenciale të tetorit në Brazil, majtisti Luis Inasio Lula da Silva, deklaroi se politikanët duhet të jenë të gatshëm të përballen me klimën e dhunës, një ditë pas përpjekjes së pasuksesshme për atentat mbi nënkryetaren argjentinase, Kristina Kirshner.

“Mendoj se të gjithë ne politikanët duhet të jemi të vetëdijshëm për dhunën e shkaktuar nga ata që nuk dinë të jetojnë në mënyrë demokratike”, tha ish-presidenti brazilian në një konferencë për shtyp para mitingut elektoral në verilindje të vendit.

Një tridhjetë e pesë vjeçar brazilian dy ditë më parë i drejtoi armën në kokë nënpresidentes së Argjentinës, në momentin që ajo po kthehej në shtëpi dhe para shtëpisë së saj kishte një numër të madh mbështetësish. Për fat të mirë, arma e sulmuesit u bllokua dhe Kirshner i shpëtoi lëndimit fatal.

Qindra mijëra argjentinas u mblodhën dje në sheshin kryesor të Buenos Airesit për të dënuar atentatin ndaj nënpresidenties Kirshner. Vendi është përfshirë nga polarizimi i thellë politik dhe kriza ekonomike.

Kirshner, e cila është ndoshta politikania më e fuqishme femër e Argjentinës, përballet me akuza potenciale korrupsioni në lidhje me diversionin e supozuar të fondeve publike ndërsa shërbente si presidente e Argjentinës midis viteve 2007 dhe 2015.

Ajo e mohon fajin dhe mbështetësit e saj mblidhen çdo ditë në rrugë dhe para rezidencës së saj, duke kritikuar gjyqësorin dhe opozitën konservatore se zbatojnë, siç thonë, se është një gjueti shtrigash kundër nënpresidentes së vendit.

Një tentativë për vrasje ndaj një politikani argjentinas ka detyruar dy kandidatët kryesorë presidencialë të Brazilit të rishikojnë masat e tyre të sigurisë përpara zgjedhjeve të planifikuara për 2 tetor.