Lukaku: Serie A është më e fortë taktikisht, Liga Premier ka shumë intensitet

Romelu Lukaku ka pranuar se Serie A është taktikisht dhe teknikisht ligë më e mirë, porse në Angli zhvillohet futboll me intensitet të lartë.
Sulmuesi belg u largua nga Interi për t’iu bashkuar Chelseat, ndërsa në sezonin e kaluar e fitoi Scudetton nën drejtimin e Antonio Contes.
“Nuk flas për ambiciet e mia personale, por ato përputhen me ambiciet e klubit. Prandaj jam kthyer. Chelsea dëshiron të vazhdojë të fitojë, të vazhdojë të rritet si klub dhe ta dominojë vërtet Anglinë dhe Evropën”.
(Foto: Instagram/romelulukaku)
“Kjo është diçka që kam dashur edhe unë dhe jam këtu, prandaj më takon mua t’i ndihmoj skuadrës të arrijë potencialin e vet”, ka thënë Lukaku për faqen zyrtare të Bluve.
28-vjeçari gjeti formën jetësore te Nerazzurrët duke shënuar 64 dhe duke prodhuar 16 asistime në 95 ndeshje zyrtare. Tash, kur e ka provuar edhe Serie A edhe Ligën Premier, ka bërë krahasime mes tyre.
“Italia është taktikisht dhe teknikisht ligë më e mirë, por këtu në Angli ka të bëjë me intensitetin. Kjo e bën dallimin, por nuk është problem për mua, sepse kam luajtur këtu për tetë vite dhe e di si është”.
(Foto: Instagram/romelulukaku)
“Nuk është sikur jam lojtar i ri që vjen dhe nuk e di çfarë të presë. E njoh ligën, kam shënuar një numër të mirë të golave këtu, por e kaluara është e kaluara dhe tash duhet të shikojmë përpara”, ka deklaruar Lukaku.
Pas transferimit prej 115 milionë eurosh, 28-vjeçari është bërë lojtari më i shtrenjtë që është shitur ndonjëherë nga një klub i Serie A.