LOE thellon bashkëpunimin me Republikën Popullore të Kinës

Shkup, 19 prill – Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë (LOE) nënshkroi memorandum për bashkëpunim me Qendrën Kineze për Tregti të Jashtme – China Foreign Trade Center (CFTC), me të cilën do të mundësohet rritje e eksportit dhe promovim i kompanive të orientuara kah eksporti nga vendi ynë në Republikën Popullore të Kinës, si dhe qasje më e lehtë e korporatave kineze te ne, si qendër për hyrje në tregun evropian.

Memorandumi për bashkëpunim parasheh që të dyja palët bashkërisht të punojnë në promovimin e bashkëpunimit përmes organizimit të vizitave, panaireve, udhëtime biznesi dhe konsultime. Theks i veçantë i vihet promovimit të panaireve të rëndësishme për import dhe eksport të cilat i organizon Qendra Kineze për Tregti të Jashtme, ndërsa në të cilat anëtarët e LOE do të kenë trajtim VIP.

Pas nënshkrimit të Memorandumit u mbajt edhe takim mes përfaqësuesve të subjekteve afariste në të cilat ishin prezantuar mundësitë dhe interesat konkrete për bashkëpunim, ndërsa në të cilat morën pjesë edhe kompani – anëtare të LOE.

Në fjalimin e tij hyrës kryetari i LOE, Trajan Angelloski e prezantoi klimën afariste në vend dhe e theksoi rëndësinë e vendosjes së bashkëpunimit të drejtpërdrejtë ndërmjet ndërmarrjeve të të dyja shteteve.

Nikoqirë të kësaj ngjarje ishin Qendra Kineze për Tregti të Jashtme dhe Ambasada e Republikës Popullore të Kinës në Shkup në emër të së cilës folën He Binghua, këshilltar për bashkëpunim ekonomik në Ambasadë dhe Xhang Sihong, zëvendësdrejtor i Qendrës Kineze për Tregti të Jashtme.