Ligj i ri për largimin e gabimeve të vjetra nga librat shkollor!
Shkup, 24 mars – Ministria e Arsimit në Maqedoninë e Veriut përmes ligjit të ri për tekstet shkollore, i cili është në proces të përpilimit, synon t’i zgjidhë problemet e shumta me të cilat ballafaqohen nxënësit dhe arsimtarët për sa i përket librave për shkollën fillore dhe atë të mesme. Librat të cilat në brendësi kanë një mal gabimesh, drejtshkrimore, teknike, e përmbajtësore. Këto të fundit më vështirë të tolerueshme, sepse nëse flasim për tekste shkollore normalisht që nënkuptohet se duhet të jenë tekste mësimore nga ku mësojnë nxënësit, por kur sheh situatën reale kupton që nuk kemi të bëjmë aspak me tekste mësimore, sepse nga ato tekste nuk merret mësim. Në fakt ajo që lexohet e mësohet është deformim dhe informim i pasaktë. Kjo situatë duhet të jetë shqetësuese dhe alarmante për institucionet përgjegjëse, e jo pastaj të nxjerrin “lot krokodili” që cilësia në shkolla e Universitet qenka në nivel të ulët. Gjithçka fillon nga arsimi fillor, nëse këtu ka hapësirë për deformim të mësimit e njëjta do të vazhdojë edhe në shkallët tjera, vetëm se ndryshojnë mësimet ndërkaq mënyra e gabuar mbetet po e njëjta. Prandaj, çdo vit që fillon e përfundon është një shpresë që tekstet shkollore do të ribotohen pa gabime, e ato që mungojnë do të botohen në kohë reale që të shfrytëzohen dhe të bëhen pa gabime, shkruan Zhurnal.
Ligj i ri për largimin e gabimeve nga tekstet mësimore –
Ministria e Arsimit në Maqedoninë e Veriut përmes ligjit të ri për tekstet shkollore, i cili është në proces të përpilimit, synon t’i zgjidhë problemet e shumta, me të cilat ballafaqohen nxënësit dhe arsimtarët për sa i përket librave për shkollën fillore dhe atë të mesme. Kjo iniciativë pason reagimet e opinionit për shkak të gabimeve të shumta në tekstet shkollore dhe veçanërisht përmbajtjeve fyese në aspektin etnik, gjinor etj.
“Kujdes i veçantë do t`i kushtohet eliminimit të gabimeve në tekstet shkollore, si dhe që të mos këtë përmbajtje fyese në aspektin gjinor apo çfarëdo lloj aspekti”, kanë bërë të ditur nga MASH.
Nga kjo Ministri bëjnë të ditur se ligji i ri për tekstet shkollore do të ketë vendosjen e më shumë filtrave kontrollues gjatë përpilimit dhe veçanërisht miratimit të botimit të teksteve shkollore, si dhe do të gjenden mënyra për të inkurajuar sa më shumë konkurrencën për të marrë pjesë në thirrjet publike për përgatitjen e teksteve shkollore.
“Zgjidhja e re ligjore duhet t’i stimulojë veçanërisht profesorët e Fakultetit Pedagogjik dhe ekspertët në këtë lëmi që të përfshihen në këtë proces”, kanë deklaruar nga MASH.
Ku ka ngecë ligji i ri?
Përpilimi i ligjit të ri për tekstet shkollore është në fazën e parë. Aktualisht, po mblidhen propozimet dhe vërejtjet e ekspertëve në lëmin e arsimit dhe më pritet të hartohet draft-versioni i zgjidhjes së re ligjore. Drafti pastaj do t`i përcillet Qeverisë dhe më pas Kuvendit për debat përfundimtar dhe miratim përfundimtar të ligjit për tekstet shkollore.
Mësimdhënësit thonë se edhe ligji aktual për tekstet e shkollave fillore dhe atyre të mesme më vete posedon shumë mekanizma për të eliminuar gabimet teknike dhe veçanërisht gabimet shkencore, si dhe përmbajtjet fyese në çdo aspekt. Por, sipas tyre, moszbatimi i ligjit bën që pa u ndëshkuar të mbeten të gjithë ata që kanë hise në problemet e shumta që kanë të bëjnë me tekstet shkollore.
“Te ne në Maqedoni të Veriut asnjëherë arsimi nuk ka vuajtur nga ligjet e këqija për sa i përket teksteve shkollore, por e keqja gjithmonë ka ardhur nga mungesa e zbatimit të tyre. Edhe në ligjin aktual që kemi, nuk është i vjetër ai është nga viti 2021, pra vetëm dy vjet më herët është miratuar, ka shumë filtra për t’i shmangur gabimet në libra, por të njëjtit filtra duhet të praktikohen dhe moszbatimi i tyre duhet të përkthehet në dënime”, thotë Vasko Giçevski, mësues i Historisë, për REL.
Tekstet shkollore me gabime skandaloze –
Tekstet shkollore jo çdoherë janë mësimore, sepse po mësuan nxënësit nga ato tekste që janë futur në programet shkollore më shumë do të infektohen me informacione të pasakta se sa të mësojnë ndonjë gjë. Reagime të shumta ka pasur në opinion për shumë gabime që janë bërë në përpilim të teksteve, por në veçanti e fundit që pati jehonë të jashtëzakonshme ishte teksti i librit Gjuha Shqipe për klasën e pestë ku mësohet për shkurtesat e institucioneve ndërkombëtare, e ku ka zënë vend edhe ajo e një parti politike, BDI (për Bashkimin Demokratik për Integrim), është konsideruar si imponim për nxënësit të mësojnë për emrin e kësaj partie që është pjesë e pushtetit.
Kjo është e paprecedent dhe e pa tolerueshme, madje është shenjë treguese se sa ka ndikim politika në arsim, si dhe sa institucionet janë të partizuara, prandaj edhe vështirë të ngritet cilësia në arsim. Për gabimin në fjalë thuhet që përgjegjësi kryesor është militant i po të njëjtës parti, prandaj edhe dihet nga i ka buruar ideja, që pas SHBA-së ta vendosë BDI-në, si shkurtesë që nxënësit duhet ta mësojnë.
Kujtojmë që, gabimet në tekstet shkollore kanë nisur të shfaqen që në vitin 2017 kur në librin e Gjeografisë për klasën e shtatë të shkollës fillore, nxënësit mësonin se Kosova është pjesë e Serbisë, ndërsa në një ilustrim të atlasit të Gjeografisë, poshtë flamurit të Kosovës, qëndronte emri i Greqisë.
Në tekstin e Historisë për arsimin fillor, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut paraqiteshin si “dhunues që ishin vendosur këtu në shekullin e XVIII, pasi kanë dëbuar maqedonasit nga tokat e tyre”, sipas autorëve të tekstit. Këto përmbajtje janë evituar pas reagimeve të shumta në opinion përmes një ligji për botimin e teksteve të reja. /Zhurnal.mk

