Lideri palestinez Mahmud Abaz nuk kërkoi falje për sulmin terrorist të kryer në Lojërat olimpike verore
Presidenti palestinez, Mahmud Abaz dje u përmbajt nga kërkim falja për sulmin e përgjakshëm të militantëve palestinezë ndaj sportistëve izraelitë gjatë Lojërave olimpike verore në Munih para pothuajse gjysmë shekulli. Në vend të kësaj, Abaz i cili ndodhet për vizitë në Gjermani, deklaroi se me kalimin e viteve Izraeli kreu “pesëdhjetë holokauste” ndaj palestinezëve.
Njëmbëdhjetë sportistët izraelitë dhe një polic gjerman u vranë më 5 shtator të vitit 1972 kur anëtarë të grupit militant palestinez “Shtatori i zi” kreu sulm në Fshatin olimpik. Në atë kohë grupi ishte i lidhur me partinë “Fatah” me të cilën tani kryeson Abazi.
Në pyetjen e gazetarëve nëse planifikon t’i kërkojë falje Izraelit dhe Gjermanisë në prag të 50-vjetorit të asaj ngjarje, lideri palestinez foli për krimet e kryera nga Izraeli pas vitit 1947.
“Nëse dëshirojmë të shkojmë në të kaluarën, të vazhdojmë”, tha Abaz në konferencën e përbashkët për shtyp me kancelarin Olaf Sholc pas takimit të tyre në Berlin. “ka pesëdhjetë masakra të kryera nga Izraeli”, shtoi ai.
Duke qëndruar në krah të Sholcit, Abaz e përdori fjalën “holokaust”, ndaj çka kancelari gjerman reagoi me mimikë në fytyrë si shenjë mospajtimi. Gjermania me vite prapa angazhohet që termi të përdoret kryesisht për krime të kryera nga regjimi nazist dhe likudimi i mbi gjashtë milionë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë botërore.
Edhe pse Sholc paraprakisht e hodhi poshtë pohimin e Abazit se raporti i Izraelit ndaj palestinezëve është “aparthejd”, ai nuk reagoi menjëherë ndaj përmendjes së termit “holokaust”.
Në deklaratën e dhënë më vonë për gazetën “Bild”, Olaf Sholc e kritikoi Abazin për zgjedhjen e tij të fjalëve, duke e cekur si “të papranueshëm” çdo minimizim të krimit të kryer në Holokaust.
Shumë më i ashpër ishte deputeti konservator në Bundestag, Armin Lashet, i cili përmes Tuiterit kumtoi se Abazi “do të përfitonte simpati nëse do të kërkonte falje për sulmin terrorist”. për deputetin Lashet përmendja e disa “50 holokausteve izraelite” nga ana e Abazit është “fjalimi më i pështirë” që e ka dëgjuar në hapësirën zyrtare gjermane.

