Lideri i juntës ushtarake në Mianmar paralajmëroi vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme edhe për gjashtë muaj

Lideri i qeverisë së Mianmarit i emëruar nga ushtria, gjenerali Min Aung Hlaing sot paralajmëroi vazhdimin e mandatit të tij edhe për gjashtë muaj përderisa vendi po përgatitet për zgjedhje, për të cilat tha se do të mbahen vitin e ardhshëm.
Ushtria e mori pushtetin me 1 shkurt të vitit të kaluar nga qeveria civile e zgjedhur në mënyrë demokratike e Aung San Su Çi.
Arsye e grusht-shteti të ushtrisë është pretendimi i manipulimeve në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit 2020, ku partia Lidhja kombëtare për demokraci e Aung San Su Çi fitoi me shumicë votash, ndërsa partia e mbështetur nga ushtria kaloi keq.
Monitoruesit e pavarur të zgjedhjeve thanë se nuk gjetën prova për parregullsi të konsiderueshme, ndërsa marrja e pushtetit nga ana e ushtrisë shkaktoi protesta të gjera jo të dhunshme në mbarë vendin.
Forcat e sigurisë përdorën forcë për të shpartalluar protestat, gjë që shkaktoi rezistencë të armatosur nga forcat pro-demokratike.
Përshkallëzimi i dhunës e ka shtyrë Mianmarin në luftë civile.
Gjenerali dhe shefi i Këshillit administrativ shtetëror në pushtet, Min Aung Hlaing sot deklaroi se është vazhduar gjendja e jashtëzakonshme e cila u shpall pas marrjes së pushtetit në vend vitin e kaluar.
Hlaing deklaroi se është koha e nevojshme “që vendi të vazhdojë të punojë në kthimin e një sistemi demokratik paqësor dhe të disiplinuar shumëpartiak dhe mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme demokratike shumëpartiake”.
Ushtria fillimisht paralajmëroi se zgjedhjet e reja do të mbahen një vit pas marrjes së pushtetit, por më vonë tha se ato megjithatë të mbahen në vitin 2023.