Liderët politik shqiptarë urojnë pavarësinë e Kosovës
Shkup, 17 shkurt – Liderët partiak politik shqiptarë në Maqedoninë e Veriut sot përmes rrjeteve sociale, kanë uruar Republikën e Kosovës, për 14 vjetorin e pavarësisë së këtij shteti, informon Zhurnal.
Të gjithë liderët politik kanë theksuar në veçanti përpjekjet dhe sakrificat e të gjithë atyre që kanë bërë për të fituar pavarësinë e këtij shteti.
Kryetari i Alternativës Afrim Gashi shprehet se edhe sot ashtu sikurse para 14 viteve, e ka emocionin e njejtë kur kishte festuar rrugëve të Prishtinës.
“17 Shkurti i secilit vit vjen për të na e rikthyer entuziazmin e festës, por edhe për të na i ndërmendur të gjitha përpjekjet e sakrificat vetëmohuese të shumë brezave për Kosovën e lirë e të mosvarme.
Njësoj si para 14 vjetëve, edhe sot e kam emocionin e njëjtë kur bashkërisht festonim rrugëve të Prishtinës.
Është kjo një histori që na bën të mburremi të gjithëve.
Gëzuar 14 vjetët e pavarësisë, Kosovë!”, shprehet Gashi.
Pavarësinë e Kosovës e uroi gjithashtu edhe lideri i ASH-së, Ziadin Sela.
Ai shkurtimisht ka uruar pavarësinë të gjithë shqiptarëve anembanë botës.
“Urime 17 shkurtin, ditën e pavarësisë së Kosovës të gjithë shqiptarëve anembanë botës.
Mirënjohje përjetë atyre që u flijuan për liri”, ka shkruar Sela.
17 shkurtin e uroi gjithashtu edhe lideri iLëvizjes Besa, Bilall Kasami.
“Shpallja e pavarësisë së Kosovës është akti më patriotik për një popull të shtypur e të robëruar dhe me ndalim të lirisë së fjalës. Shpallja e pavarësisë me 17 shkurt 2008, ishte kurorrëzimi i një udhëtimi të dhimbshëm mes lotësh për të gjithë shqiptarët. Unë si kryetar i Komunës së Tetovës dhe si kryetar i Lëvizjes BESA, i uroj nga zemra mbarë shqiptarët për 14 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Sakrifica e të parëve tanë, nuk duhet harruar asnjëherë por ata duhet lartësuar si ndër njerzit që sakrifikuan çdo gjë për këtë ditë. Shpallja e pavarësisë së Kosovës po i kontribuon stabilitetit rajonal dhe ballkanik. Anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe BE është priroriteti kryesorë, andaj sa më i përshpejtuar të jetë anëtarësimi aq më i përshpejtuar do të jetë progresi dhe zhvillimit!🇽🇰
Urime Pavarsinë Kosovë”, ka uruar Kasami, informon Zhurnal.
PAvarësinë gjithashtu e ka uruar edhe kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi.
Ai shprehet se pavarësia e Kosovës është një manifestim dhe shembull i vlerave demokratike, përkushtimit ndaj lirisë dhe rezistencës shqiptare ndaj tiranisë. Është një gëzim i madh për të gjithë shqiptarët.
“Pavarësia e Kosovës është një manifestim dhe shembull i vlerave demokratike, përkushtimit ndaj lirisë dhe rezistencës shqiptare ndaj tiranisë. Është një gëzim i madh për të gjithë shqiptarët.
Në këtë ditë, kujtojmë të gjithë ata që punuan për Kosovën e lirë dhe sovrane mbi idetë e vlerat e të cilëve u themelua shteti. Në emër të Partisë Demokratike Shqiptare uroj popullin e Kosovës për këtë ditë të rëndësishme”, ka uruar Thaçi.
Pavarësinë e Kosovës nuk e haroi as lideri i BDI-së Ali Ahmeti. Ahmeti shprehet se çdo ditë e Kosovës së pavarur është përkujtim i kushtrimit të lirisë.
“Çdo ditë e Kosovës së lirë dhe të pavarur është përkujtim i kushtrimit të lirisë, të cilit nga të gjitha trojet tona iu përgjigjëm për të ruajtur rrënjët e identitetit të saj shqiptar!
17 Shkurti është më shumë se festë shtetërore, është mirënjohje mbarëkombëtare për veprën e lavdishme të dëshmorëve, është drejtësi e vendosur në vendin e vet, është amanet për të vazhduar rrugën e përparimit të Kosovës.
Qoftë përjetë e lirë Kosova jonë dhe i përjetshëm kujtimi për ata që qëndruan në mbrojtje të saj! Gëzuar!”,ka uruar Ahmeti./Zhurnal.mk

