Lëvizja Antibixhoz kërkon që kazinot të jenë larg gjitha institucioneve publike, të martën protesta
Shkup, 18 shkurt – Lëvizja “Antibixhoz” nga Tetova nuk pajtohet me propozimet e ministrive, objektet e lojërave të fatit të jenë 500 metra larg vetëm shkollave fillore dhe të mesme.
Sipas “Antibixhoz”, objekte të tilla duhet të jenë larg edhe nga të gjitha institucionet publike.
Lëvizja sot në konferencë për shtyp paralajmëroi se të martën do të organizohet një protestë kundër hapjes së një kazinoje të re pranë një kopshti.
“Ne e dimë që janë zgjedhur me votën e qytetarit, por është gabim të japësh propozime dhe të vendosësh kundër mirëqenies së atij qytetari. I njoftojmë se nuk po mund t’i ndjekim propozimet e tyre për ligjin e lojërave të fatit, sepse me ndërrime të shpeshta të qeverisjes jepen propozime gjithnjë e më të këqija, tha Xhemal Abdiu nga “Antibixhoz”.
Siç ka theksuar Abdiu, “Antibixhoz” do të mbështesë protestën qytetare më 22 shkurt në ora 14:00, e cila është kundër hapjes së kazinosë pranë kopshtit “Mladost” te rrethrrotullimi te ish-fabrika e tekstilit “Teteks”.
Lëvizja “Antibixhoz” ” kërkoi nga Komuna e Tetovës si institucion që në përputhje me kompetencat e saj t’i mbrojë qytetarët.

