Lehtësohet ndalesa për lëvizje në pyje, vetëm me leje të marrë paraprakisht
Shkup, 19 gusht – Për shkak të numrit të ulur të zjarreve dhe reshjeve të para disa ditëve të cilat e përmirësuan situatën, prej sot NP “Pyjet e Maqedonisë së Veriut” e lehtëson masën për ndalesë për lëvizje në pyje – vetëm me leje të marrë paraprakisht, deklaroi në konferencën e sotme për media drejtori i Qendrës për Menaxhim me Krizat, Stojançe Angellov.
Personat fizikë dhe juridikë të cilët kanë nevojë që të lëvizin në natyrë, prej sot me leje të marrë paraprakisht do të mund ta bëjnë këtë.
“Kjo ka të bëjë edhe me alpinistët dhe paraglideristët, të cilët i shfrytëzojnë malet për aktivitetet e tyre”, theksoi Angellov.
Për momentin aktivë janë katër zjarre – mbi fshatrat Rahoviq dhe Bukoviq, në Komunën e Sarajit, mbi fshatin Patishka Rekë, drejtë Jasenit, në Vasilevë të Strumicës dhe fshatin e Prilepit Toplicë.
“Në këtë moment aktiv është zjarri mbi fshatrat Rahoviq dhe Bukoviq, në Komunën e Sarajit. Ky zjarr zgjat 15 ditë. Mëngjesin e sotëm, në këtë vend veprojnë dy helikopterë të armatës, të cilët po tentojnë ta shuajnë, por për shkak të specifikës së vetë terrenit dhe vegjetacionit, i cili po digjet, gjegjësisht rrënjëve të cilat janë pak nën tokë dhe mbi ta ka torfe, shumë rëndë shkon shuarja e këtij zjarri. Ai nuk paraqet rrezik për vendbanimet dhe dëmi nuk është shumë i madh, sepse bëhet fjalë për bimë me rrënjë të shkurta”, deklaroi Angellov.
Aktiv është edhe zjarri mbi fshatin Patishka rekë, drejtë Jasenit, por ai po mbahet nën kontroll, ndërsa është riaktivizuar edhe zjarri në fshatin e Prilepit Toplicë, i cili, gjithashtu, shpejtë do të vendoset nën kontroll.
“Kemi zjarr aktiv në Vasilevë të Strumicës, i cili është në kufi me komunat Berovë, Radovish dhe Strumicë. Në rajonin e Berovës është mbi fshatin Niviçan. Këtu, para së gjithash, digjen mbetje të drurëve të prerë, por besoj se ky zjarr do të mposhtet gjatë ditës së sotme”, sqaroi Angellov.
Në vizitë në QMK, informoi Angellov, sot ishte gjenerali amerikan Najt nga Garda Nacionale në Uermont, me të cilin ishte dakorduar vazhdimi i bashkëpunimit të deritanishëm dhe vizita e instruktorëve të tyre, të cilët do të ndihmonin në reformën komplete të Sistemit për Menaxhim me Kriza dhe Mbrojtjes Zjarrfikëse.