Larg digjitalizimit, në Maqedoninë e Veriut ende protestohet për paga më të larta

Shkup, 24 maj – Përderisa në vendet evropiane flitet, punohet e veprohet në drejtim të digjitalizimit të administratës dhe shërbimeve të tjera, në vendin tonë kjo drejtori dhe shumë të tjera kërkojnë paga më të larta. Kjo përpos që flet se sa vlerësohen të punësuarit flet edhe sa larg jemi një digjitalizimi të nevojshëm. Punonjësit e Drejtorisë për Librat Amë, nga e mërkura sërish në protesta, edhe pasi më 27 prill mbi 500 punonjës ishin futur në grevë dhe kërkonin paga më të larta. Të gjitha keqkuptimet ndërmjet punonjësve të Drejtorisë së librave amë dhe Ministrisë së Drejtësisë ishin zgjidhur, por ka mbetur akoma problemi kryesor – financat, gjë për të cilën nga nesër protestohet, shkruan Zhurnal.

Po të njëjtit punëtor para një muaji ishin në grevë dhe kërkonin paga më të larta, pas rritjes së pagës minimale, pasi paga e tyre ishte nën atë minimale. Greva ishte pasojë e hasjes për tre vjet në vesh të shurdhër të autoriteteve kompetente për rritjen e pagave të punëtorëve në shërbimet e librave amë, të cilat arrijnë në 14.500 denarë, që është më pak se paga minimale.

Mirëpo pas dakordimit për gjitha çështjet tjera me Ministrinë e Drejtësisë, ngeli vetëm çështja e financave gjë për të cilën topi u hodh te Ministria e Financave, mirëpo nga atje ende nuk ka ndonjë zgjidhje të këtij problemi, me çka do tu rriteshin pagat për aq sa kërkojnë.

Punonjësit e Drejtorisë për Librat amë nga e mërkura sërish dalin në protesta para Ministrisë së Financave. Sindikata i dha afat Ministrisë për t’u përgjigjur nëse ka para për të përmbushur kërkesat e dakorduara më parë me Ministrinë e Drejtësisë. Ato kanë të bëjnë me pagat e largimit dhe pagesën e K-15 në shumën prej 60 për qind të pagës mesatare, informon Alsat.

“U bëj thirrje që të mbledhin forcat dhe të ulemi në tryezë të përbashkët për të gjetur një zgjidhje për këtë problem që kanë punonjësit. Nëse nuk ka zgjidhje, ne jemi përsëri këtu. Hapi tjetër është bllokimi i Ministrisë së Financave – cilat rrugë dhe si – do të informoheni për këtë. Kjo që po ndodh tashmë, unë pyes haptas – a ka filluar qeveria t’i ndajë punonjësit? A është kjo Qeveri për të gjithë qytetarët në vend apo ka filluar t’i ndajë sindikatat si të pranueshme, do të flasim me ta apo jo?!”, deklaroi Marjan Risteski- Konfederata e Organizatave Sindikale.

Ndryshe, në vendet evropiane këto shërbime që kryen kjo drejtori në vendin tonë atje kryhen në mënyrë digjitale. Edhe në Maqedoninë e Veriut shpesh herë e kemi dëgjuar si projekt e plan afat gjatë digjitalizimin e shërbimeve administrative por ja që çdoherë përfundon sikurse po fillon vetëm si ide në letër e shprehur gojarisht e askund nuk shihet në praktik.

Maqedonia e Veriut vend kandidat për BE që pret të merr datën për fillim të negociatave, ende përballet me pakënaqësi shumë të madhe e revoltë që shprehet me grevë e protesta. Bie fjala për digjitalizimin e administratës as që mund të paramendohet përdersa punonjësit e Drejtorisë Amë protestojnë për paga më të dinjitetshme. Pra, përpos që nuk vlerësohen e paguhen sa duhet humbin shpresat për një digjitalizim.

Digjitalizimi do të lehtësonte shërbimet e qytetarëve duke mos i malltretuar me procedurat byrokratike të cilat i detyrojnë qytetarët të enden nga një sportel në tjetrin për të marrë një shërbim i cili përmes digjitalizimit mund të kryhet vetëm për disa minuta nga vet qytetarët.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut këtë vit është përballur me një fluks apo valë pakënaqësie të shprehur nga gjitha sindikatat që kërkonin paga më të larta, Sindikata e Arsimit poashtu ishte në grevë për rresht tre javë humbje mësimi për nxënësit, dhe shumë sindikata të tjera kërkonin harmonizim me pagat minimale. Kjo krejt si pasojë e krizës së thellë ekonomike ku shpenzimet mujore ishin shumë të larta se sa të hyrat. Jeta për qytetarët bëhej e pa përballueshme, prandaj kjo në mënyrë direkte ndikonte edhe në shtimin e numrit të të rinjve që largoheshin prej vendi.

Ndryshe, edhe nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) kërkojnë takim urgjent me kryeministrin, zëvendëskryeministrin për çështje ekonomike dhe ministrat e financave dhe të punës dhe politikës sociale për kërkesën për rritje lineare të pagave prej 2.806 denarë.

LSM-ja ka reaguar këtë fundjavë se buxheti suplementar nuk parashikon mjete për këtë qëllim, siç ishte premtuar gjatë negociatave për Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive për sektorin publik.

“Sipas rebalancit të prezantuar të Buxhetit nga Ministri i Financave dhe analizës së LSM-së, nuk kemi parë se ka paraparë mjete për rritje lineare – solidariteti të pagave në vlerë neto prej 2.806 denarë, siç kërkohet nga LSM në marrëveshjen kolektive për sektorin publik dhe gjatë negociatave që i zhvilluam me ekipin e ministrave, u siguruam se me rebalancin e buxhetit do të kemi rritje lineare”, tha në deklaratë për MIA, kryetari i LSM-së, Darko Dimovski.

Nëse kjo nuk ndodh me buxhetin suplementar, sindikata njofton se nga shtatori do të kërkojë rritje të pagave për 18.4 për qind, duke u bazuar në nenin 8 të Ligjit për pagën minimale, i cili parashikon harmonizimin e pagave të tjera me pagën minimale. LSM nuk e përjashton mundësinë e grevës së përgjithshme, nëse premtimi nuk realizohet. /Zhurnal.mk