Kuvendi, shumë shpenzime për pak punë
Shkup, 24 tetor – Puna e Kuvendit dhe deputetëve vazhdon të jetë me ritëm tepër të ngadalësuar, pavarësisht shpenzimeve të larta që ka Kuvendi.
Në informatat e siguruara nga Alsat, shihet qartë se nga 1 shtatori dhe deri më 15 tetor, janë mbajtur vetëm 5 seanca plenare, Kuvendi ka punuar gjithsej 15 orë e 30 minuta.
Dy nga këto, seanca kanë qenë për fjalime drejtuar deputetëve nga ana e mysafirëve prej jashtë vendit, si presidenti i Italisë Serxho Matarella dhe kryetarja e Këshillit kombëtar të Kuvendit të konfederatës Zvicerane, Irene Kelin. Një seancë është mbajtur për pyetje të deputetëve.
Ndërsa dy seanca punuese në të cilat gjithsej ka pasur 18 pika të rendit të ditës dhe atë 9 ligje, katër vendime, 4 interpretime autentike dhe një plan.
Por në këto dy seanca punuese, të cilat ende llogariten si të papërfunduara, janë shqyrtuar vetëm dy ligje, 4 vendime dhe 4 interpretime autentike.
Edhe në dy javët e fundit, Kuvendi ka pasur dinamikë tepër të ulët të punës, ku vazhdojnë të zvarriten edhe ligjet më të rëndësishme si masat e Qeverisë për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset për tu ballafaquar me krizën ekonomike dhe votimi i gjykatësve kushtetues, për të cilët ende nuk ka përfunduar seanca e komisionit amë.
Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci vlerëson se me mënyrën e funksionimit aktual, Kuvendi nuk e plotëson as funksionin e tij elementar.
“Kuptohet se Ligjet që presin për një kohë të gjatë janë një nga problemet kryesore për shkak se shoqëria dhe funksionimi i saj patjetër duhet të rregullohet me ligje, por edhe funksioni mbikëqyrës. Do të thotë kontrolli që Kuvendi e bën për institucionet që është përgjegjëse, mungon në këtë periudhë, kështu që dy funksionet kryesore e thelbësore kur nuk mund ti kryeni, para së gjithash, kur ka mungesë të seancave është e qartë se Kuvendi nuk është për momentin në krye të detyrës”, tha Marko Troshanovska, Instituti për demokraci.
Ai vlerëson se arsyeja për gjendjen e këtillë është niveli i ulët i kulturës politike në vend.
“Respektivisht përleshja politike e cila bëhet në kurriz të Kuvend dhe zhvillohet përmes deputetëve është diçka që duhet urgjentisht ta tejkalojmë si praktikë. Kuvendi është një nga tre pushtetet që patjetër duhet të funksionojë i pavarur nga peripecitë që zhvillohen në nivel të pushtetit ekzekutiv”, u shpreh Marko Trashanovska, Instituti për demokraci.
Trashanovski thotë se zgjidhja e gjendjes aktuale të Kuvendit është ndryshimi i modelit zgjedhor i cili do të krijonte sa më shumë integritet të pavarur të deputetëve nga partitë.
Nga 01.09.2022 – 15.10.2022
5 seanca plenare – 15 orë e 30 minuta punë.
2 për fjalime:
– Presidenti i Italisë Serxho Matarella
– Irene Kelin – Kryetare e Këshillit kombëtar të Kuvendit të konfederatës Zvicerane
1 seancë për pyetje të deputetëve. Ndërsa dy 2 seanca punuese me 18 pika të rendit të ditës, 9 ligje, 4 vendime, 4 interpretime autentike dhe 1 plan.
Janë shqyrtuar vetëm:
2 ligje, 4 vendime dhe 4 interpretime autentike.//Alsat-M