Kuvendi e pranoi propozimin e Qeverisë për pagën minimale
Shkup, 10 shkurt – Kuvendi sot njëzëri me 101 vota “për” e pranoi propozimin e Qeverisë me procedurë të shkurtuar që të sillen ndryshimet e Ligjit për pagën minimale. Propozim ndryshimet, të cilat janë rezultat i marrëveshjes së arritur në Këshillin ekonomik-social për rritjen e pagës minimale dhe për metodologjinë e re për harmonizimin e pagës minimale, duhet të shqyrtohen në Komisionin kuvendor amë për punë dhe politikë sociale.
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska, duke e justifikuar arsyen pse ligji duhet të sillet me procedurë të shkurtuar, tha se nuk bëhet fjalë për zgjidhje të madhe ligjore. Propozim vendimi ligjor, siç theksoi, është në drejtim të mbrojtjes së buxhetit familjar dhe përmirësimi i standardit jetësor të punëtorëve,
Me Propozim ndryshimet ndryshojnë kriteret për harmonizimin vjetor të pagës minimale me 50 për qind nga rritja vjetore e pagës mesatare dhe 50 për qind e rritjes së shpenzimeve për jetë. Parashihet edhe vlera e pagës minimale të mos jetë më e ulët se 57 për qind nga paga mesatare e shpallur nga Enti për statistikë për vitin paraprak.
“Këto ndryshime do të përfshijnë rreth 80.000 qytetarë tanë të cilët me pagesën e pagës minimale në muajin prill do të marrin rritje të pagesë prej 15.200 në 18.000 denarë. Duke e marrë parasysh situatën me pandeminë dhe goditjen të cilën ajo e shkaktoi ndaj ekonomisë, shteti u del në ndihmë edhe punëdhënësve. Për këtë qëllim, Qeveria parasheh ndihmë financiare nga Buxheti për periudhën mars-dhjetor të vitit 2022 për pagesën e dallimit në kontributet në neto pagën e rritur minimale”, sqaroi Trençevska.
Deputetët e “Levicës” të cilët gjithashtu kanë parashtruar ndryshime të Ligjit për pagën minimale, e tërhoqën propozimin e tyre, duke theksuar se do të japin mbështetje për Propozim ndryshimet e parashtruara nga Qeveria.

