Kundër flokëve të gjatë

Nga: Pier Paolo Pasolini
Përktheu: Zija Vukaj
Hera e parë që kam parë flokëgjatë ka qenë në Pragë. Në hollin e hotelit ku rrija hynë dy djem të huaj, me flokë të gjatë deri në supe. Kaluan përmes hollit, mbërritën në një qoshe pak të mënjanuar dhe u ulën në një tryezë. Qëndruan të ulur aty për nja një gjysmë ore, të vëzhguar prej klientëve, mes të cilëve unë; pastaj ikën. Edhe kur kaluan përmes njerëzve të mbledhur në holl, edhe kur qenë të ulur në qoshen mënjanë, nuk folën (ndoshta – por nuk e kujtoj – pëshpëritën diçka mes tyre: por, mendoj, diçka krejt praktike, të pashprehshme). Në fakt ata, në atë situatë të veçantë – që ishte krejt publike apo sociale dhe do të thosha, zyrtare – nuk kishin fare nevojë të flisnin. Heshtja e tyre ishte rreptësisht funksionale. Dhe ishte thjesht sepse fjala ishte e panevojshme. Ata të dy, në fakt, përdornin për të komunikuar me të pranishmit, me vëzhguesit – me vëllezërit e tyre të atij çasti – një gjuhë tjetër prej asaj që formohet me fjalë. Ajo që zëvendësonte gjuhën tradicionale me fjalë, duke e bërë të panevojshme – e për më tepër duke gjetur vendosjen e menjëhershme në zotërim të gjerë të “shenjave”, pra të fushës së semiologjisë – ishte gjuha e flokëve të tyre. Bëhej fjalë për të vetmen shenjë – pikërisht për gjatësinë e flokëve të tyre deri mbi supe – në të cilët ishin përqendruar të gjitha shenjat e mundshme të një gjuhe të artikuluar.
Cili ishte kuptimi i mesazhit të tyre të heshtur dhe vetëm fizik?
Ishte ky: “Ne jemi dy flokëgjatë. I përkasim një kategorie të re njerëzore që po bën të shfaqet këto ditë në botë, që e ka qendrën e vet në Amerikë dhe që, në provincë (si për shembull – madje, sidomos – këtu në Pragë) nuk njihet. Pra, ne jemi për ju një Shfaqje. Ushtrojmë propagandimin e doktrinës sonë, tashmë plot me një dituri që na përmbush e na dërmon tërësisht. Nuk kemi asgjë për t’i shtuar gojarisht apo me arsye asaj që fizikisht dhe në mënyrë ontologjike thonë flokët tanë. Dituria që na mbush, edhe nëpërmjet propagandës sonë, do t’ju përkasë një ditë edhe juve. Tani për tani është një Gjë e Re, një Gjë e Re e madhe, që krijon në botë, me skandalin, një pritshmëri: e cila nuk do të tradhtohet. Borgjezët bëjnë mirë që na shikojnë me urrejtje dhe tmerr, sepse është gjatësia e flokëve tanë që i kundërshton në mënyrë absolute. Por, të mos na marrin për njerëz të paedukatë e të egër: ne jemi shumë të vetëdijshëm për përgjegjësinë tonë. Ne nuk ju shikojmë, rrimë në punën tonë. Bëni kështu edhe ju, dhe pritni Ndodhitë”.
Thoshin këtë: “Qytetërimi konsumist na është neveritur. Ne protestojmë në mënyrë radikale. Po krijojmë një antikorp për këtë lloj qytetërimi përmes kundërshtimit. Dukej sikur gjithçka shkonte mirë, apo jo? A duhej të ishte brezi ynë një brez i plotësuar? Përkundrazi, ja si janë gjërat në realitet. Ne i kundërvëmë marrëzinë një prapësie të “ekzekutuesve”. Po krijojmë vlera të reja fetare në entropinë borgjeze, pikërisht në momentin kur po bëhet tërësisht laike dhe hedoniste. E bëjmë me një bujë dhe një dhunë revolucionare (dhunë e të pa – dhunshmëve!) sepse kritika jonë ndaj shoqërisë sonë është totale dhe e pandryshueshme”.
Diskutimi i flokëve të gjatë ndalonte këtu: duhej ta plotësoja vetë. Me atë “por” ata donin të thoshin qartë dy gjëra: 1) “Pashprehshmëria jonë shfaqet gjithnjë e më shumë e natyrës iracionale dhe pragmatiste: epërsia që ne i veshim në heshtje veprimit është e karakterit nënkulturor dhe prandaj në thelb është e djathtë”. 2) Ne kemi qenë të parapëlqyer edhe nga provokatorët fashistë, që u përzihen revolucioneve verbale (por, verbalizmi mund të çojë edhe në veprim, sidomos kur e mitizon): dhe krijojmë një maskë të përsosur, jo vetëm në pikëpamjen e aspektit fizik – rrjedhja dhe valëzimi ynë i çrregullt priret t’i bëjë homologe të gjitha fytyrat – por, edhe në pikëpamjen kulturore: në fakt një nënkulturë e së Djathtës mund të ngatërrohet shumë bukur me një nënkulturë të së Majtës.
Shkurt kuptova se gjuha e flokëve të gjatë nuk shprehte më “gjëra” të së Majtës, por shprehte çdo keqkuptim e Majtë – e Djathtë, që bënte të mundur prezencën e provokatorëve.
Para nja dhjetë viteve, mendoja, ndër ne të brezit të mëparshëm, një provokator ishte gati i pakonceptueshëm (veç nëse ishte një aktor i madh): në fakt nënkultura e tij do të dallohej, edhe fizikisht, nga kultura jonë. Do ta njihnim nga sytë, nga hunda, nga flokët! Do ta demaskonim menjëherë dhe do t’i jepnim menjëherë mësimin që meritonte. Tani kjo nuk është e mundur. Askush më në botë nuk mund të dallojë një revolucionar nga një provokator. E Djathta dhe e Majta janë shkrirë fizikisht. Kemi arritur në 1972. Isha këtë shtator në qytezën Isfahan, në zemër Persisë. Vend në zhvillim, siç thuhet në mënyrë të tmerrshme, por po aq të tmerrshme thuhet, në ngritje të plotë. Mbi Isfahanin e dhjetë viteve më parë – një nga qytetet më të bukura të botës, kushedi, ndoshta më i bukuri – ka lindur një Isfahan i ri, modern e shumë i shëmtuar. Por, nëpër rrugët e tij, për punë apo për shëtitje, rreth darkës shihen të rinjtë që shiheshin në Itali para dhjetë vitesh: bij dinjitozë dhe të përulur, me qafat e bukura dhe fytyrat e bukura e të kthjellëta nën cullufet e pafajshme krenare. Dhe, ja që një mbrëmje, duke filluar nga rruga kryesore, pashë mes gjithë atyre të rinjve të hershëm, shumë të bukur e plot dinjitet të hershëm njerëzor, dy qenie të përbindshme: Nuk ishin tamam nga flokëgjatët, por flokët e tyre ishin prerë evropiançe, të gjatë mbrapa, të shkurtër mbi ballë, të rriposur nga tërheqja, me dy cullufe të ndyra, ngjitur në mënyrë artificiale përreth fytyrës sipër veshëve. Çfarë thoshin këta flokët e tyre? Thoshin: “Ne nuk i përkasim numrit të këtyre njerëzve të uritur, të këtyre mjeranëve të pazhvilluar, që kanë mbetur prapa në kohët barbare! Ne jemi punonjës banke, studentë, bij të njerëzve të pasuruar që punojnë në shoqëritë e naftës; e njohim Evropën, kemi lexuar. Ne jemi borgjezë: dhe ja, flokët tanë të gjatë, që dëshmojnë modernizmin tonë internacional prej të privilegjuarish”! Pra, ata flokë të gjatë aludonin “gjëra” të së Djathtës. Rrethi është mbyllur. Nënkultura në fuqi ka thithur nënkulturën në opozitë. Me shkathtësinë djallëzore e ka bërë atë me durim një modë, që nëse nuk mund të thuhet tamam fashiste në kuptimin klasik të fjalës, në fakt është një “ekstrem i djathtë” real. Përfundoj me hidhërim. Maskat e neveritshme që të rinjtë vënë në fytyrë, duke u bërë të ndyrë si kurvat e vjetra të një ikonografie të pathemeltë, rikrijojnë objektivisht mbi fizionomitë e tyre atë që vetë ata e kanë dënuar gjithmonë me fjalë. Kanë dalë fytyra të vjetra priftërinjsh, gjykatësish, zyrtarësh, anarkistësh të rremë, punonjës qesharakë, avokatë ngatërrestarë (Axekagarbulë), Don Ferrante, mercenarë, batakçinj, konformistë rrugaçë. Pra, dënimi radikal dhe pa dallim që ata kanë shpallur kundër baballarëve të tyre – që janë historia në evolucion dhe kultura e mëparshme – duke ngritur kundër tyre një barrierë të pakapërcyeshme, ka përfunduar me izolim, duke u penguar atyre një raport dialektik me baballarët e tyre. Tani, vetëm përmes një raporti të tillë dialektik – qoftë edhe dramatik dhe i ekstremizuar – ata do të mund të kishin ndërgjegjen reale historike të vetvetes dhe të shkonin përpara, “t’i kapërcenin” baballarët.
Përkundrazi, izolimi në të cilin janë mbyllur – si në një botë mënjanë, në një geto të rezervuar për rininë – i ka mbajtur të ndaluar në realitetin e tyre të pamposhtshëm historik: dhe kjo ka përfshirë – në mënyrë fatale – një regres. Në realitet ata kanë shkuar më prapa se baballarët, duke shkaktuar në shpirtin e tyre tmerre e konformizma dhe në pamjen e tyre fizike rregulla të ngurta e mjerime që dukej se ishin kapërcyer përgjithmonë. Kështu thonë tani flokët e gjatë, në gjuhën e tyre të pa artikuluar e të xhindosur të shenjave joverbale, në ikonizmin e tyre banditesk, në “gjërat” e televizionit apo të reklamave të produkteve, ku tashmë është e pakonceptueshme të parashikosh një të ri që të mos ketë flokë të gjatë: fakt që sot do të ishte skandaloz për pushtetin. Ndjej një pakënaqësi të sinqertë e të pafund të them (madje, një dëshpërim të vërtetë): por tashmë mijëra e qindra mijëra fytyra të rinjsh italianë, i ngjasojnë gjithnjë e më shumë fytyrës së Merlinit. Liria e tyre për t’i mbajtur flokët siç duan, nuk është më e mbrojtur, sepse nuk është më liri. Ka ardhur çasti t’u thuhet të rinjve se mënyra e tyre e mbajtjes së flokëve është e tmerrshme, sepse është skllavëruese dhe vulgare. Madje, ka ardhur çasti që ata vetë ta vënë re dhe të çlirohen nga ky ankthi i tyre fajtor për t’iu përmbajtur rregullit degradues të hordhisë.