Kumanovë, gjithnjë e më shumë thirrje në ndihmën e shpejtë

Kumanovë, 25 mars – Kohëve të fundit gjithnjë e më tepër janë shtuar thirrjet për ndihmë mjekësore në Ndihmën e Shpejtë në qytetin e Kumanovës. Ekipi ynë televiziv vizitoi repartin e Ndihmës së Shpejtë nga ku edhe na njoftuan se numri i pacientëve që thirrin për ndihmë lëviz nga 25 deri në 30 thirrje brenda 24 orëve, kryesisht nga persona të moshës së shtyer.

“Zakonisht pacientët që kërkojnë ndihmë janë ata të moshës më të vjetër, të cilët kërkojnë ndihmë për sëmundjet kronike e cila vie si rezultat i ndryshimit të motit ku ndikon në këtë lloj sëmundje, pastaj kërkojnë pacientët të cilët janë me sëmundje të frymëmarrjes, ata me kancer të cilëve u ofrohet një ndihmë e veçantë, gjithashtu ndihmë mjekësore kërkojnë edhe ata pacientë të cilët kanë shtypje të lartë të gjakut, kohëve të fundit kemi raste të shumta të pacientëve që pësojnë sulme në tru e cila vie si rezultat i mos kontrollimit të shtypjes së gjakut si dhe aksidentet e shkaktuara janë ato që vie deri te kërkesa për tu ofruar ndihmë”, tha dr.Doruntina Selimi, mjeke në Ndihmën e Shpejt – Kumanovë.

Nga Ndihma e Shpejtë mjekët u bëjnë apel qytetarëve që për çfardo lloj shqetësimi shëndetësor të thirrin ndihmën e shpejtë dhe të përdorin terapitë adekuate për të zbutur shqetësimet shëndetësore.

“U bëj thirrje të gjithë pacientëve e sidomos atyre në moshë më të vjetër të përdorin rregullisht terapitë për sëmundjet kronike, të konsultohen me mjekët amë \dhe për cdo nevojë plotësuese të thirrin ndihmën e shpejtë kurse për pacientët e moshës më të re u bëj thirrje që të bëjnë kujdes gjatë vozitjes sepse çdo herë dhe çdo vit me ngrohjen e motit kemi edhe rritje të numrit të aksidenteve në trafik”, tha mes tjerash Selimi.

Mjekja Doruntina Selimi, gjithashtu theksoi se kohëve të fundit është zvogëluar dukshëm numri i thirrjeve nga pacientët e infektuar me Covid-19, fakt ky që tregon se gjendja me Korona Virusin vazhdon të jetë stabile dhe e qetë.