KSL prej nesër me udhëheqësi të re, edhe më tej kërkohet harmonizim i pagave

Shkup, 4 maj – Konfederata e Sindikatave të Lira (KSL) nesër në kongres do të zgjedhë udhëheqësi të re, pas çka do të merret vendim për hapat të cilat do t’i ndërmarrë në periudhën e ardhshme. Sindikata mbetet në qëndrimin se Ligji për nëpunësit në administratë është nënçmues dhe se me të nuk do të ketë rritje të pagave, ndërsa edhe më tutje kërkon harmonizim të pagave të tjera me rritjen e asaj minimale. Sipas KSL-së, është e pamundur që të realizohet edhe rritja lineare e pagave për 2.806 denarë, që është propozim i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM).

Kryetari i KSL-së, Bllagoja Rallpovski në konferencën e sotme për media theksoi se është i kënaqur nga puna e bërë gjatë mandatit të tij, por se mbetet lufta për harmonizimin e pagave me pagën minimale. Afati për harmonizim, sipas Rallpovskit, ka kohë që ka kaluar.

“Kemi rritje prej 12.000, 12.500, 14.00, 14.500 dhe 15.200. Afati ka kohë që ka kaluar. Ne gjatë gjithë kohës kërkojmë harmonizim. Kemi 20 për qind në arsim, pesë për qind në sektorin publik, 30 për qind në shëndetësi, ndërsa 75 për qind pagë të rritur minimale. Kur paga minimale u miratua në vitin 2012, kur u harmonizua, ashtu rriten edhe pagat në sektorin publik. Në vitin 2013 kishte rritje në sektorin publik për pesë për qind në vitin 2015 për pesë për qind me qëllim që të harmonizohen pagat, tani këtë nuk e shohim. Tani nuk kërkojmë që të harmonizohen vetëm pagat me këtë rritje, por edhe me atë prej 15.200 denarë”, tha Rallpovski.

Sipas tij, në marrëveshjen e përgjithshme kolektive nuk mund të rregullohen pagat në sektorin publik.

“Edhe Ligji për paga është procedurë e komplikuar sepse këtu keni mijëra profesione në sektorin publik dhe do të zgjasë të paktën një deri dy vjet. Ky është proces i madh i cili është çështje kohe nëse do të miratohet edhe në shtator të vitit 2023 nëse punojmë çdo ditë. Vetëm po mashtrohet publiku”, konsideron Rallpovski.

Rritja lineare për 2.806 denarë në sektorin publik që është propozim i LSM-së, sipas KSL-së, është e pamundur të paguhet sepse ose merret pagë sipas pikës ose sipas përqindjes.

“Që të bëhet kjo, nevojitet ndryshim i shumë akteve ligjore dhe përgatitja e vendimeve të reja për punë”, tha Rallpovski.