KSL më 30 mars në protestë, paralajmëron grevë të përgjithshme

Shkup, 23 mars – Konfederata e Sindikatave të Lira (KSL) më 30 mars do të dalë në protestë para Kuvendit duke shprehur pakënaqësi që deri më tani nuk është bërë harmonizim i pagave të tjera me pagën minimale në sektorin publik.

“Një pjesë e sindikatave degë dhe KSL sollën vendim të dalim fillimisht në rrugë më 30 mars në orën 15:30 para Kuvendit dhe ta shprehim pakënaqësinë tonë pasi që në nëntor vitin e kaluar kemi dërguar shkresë deri tek të gjithë deputetët pasi harmonizimi i pagave në pajtim me pagën minimale atë moment ishte 15.200 denarë”, deklaroi sot kryetari i KSL-së, Bllagoja Rallpovski.

Nga KSL kërkojnë të rriten pikët që mund të ruhet diferenca midis pagave të të punësuarve të tjerë. Nëse Qeveria nuk i përbush kërkesat e tyre, paralajmërojnë grevë të përgjithshme.

“Kjo është grevë paralajmëruese të cilën vendosëm ta bëjmë si një masë më të butë. Janë duke u shqyrtuar hapa të ndryshëm për radikalizimin e mëtejmë për të hyrë në grevë të përgjithshme, ka propozime të ndryshme nga anëtarësia jonë. Janë lëshuar anketa se në ç’formë dëshirojnë ta shprehin pakënaqësinë e tyre. Si do të vendosë anëtarësia, kështu do të ndodhë”, tha Rallpovski.

Kumtoi se kanë kërkuar takim me përfaqësues qeveritarë, para së gjithash, me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, por se deri më tani nuk janë takuar me askënd. Sot, siç potencoi, janë ftuar të marrin pjesë në Këshillin Socio-ekonomik.