KSL kërkon harmonizim të pagave, pret përgjigje nga Qeveria
Shkup, 25 shkurt – Edhe një herë bëjmë thirrje për arsye të shëndosh dhe të ulemi të negociojmë, në të kundërtën KSL javën e ardhshme do t’i miratojë vendimet e saj se si do të veprojë më tutje, mendoj se nuk do të jetë korrekte që edhe më tutje të injorohemi, deklaroi Bllagoja Rallpovski, kryetar i Konfederatës së Sindikatave të Lira (KSL) të Maqedonisë, e cila qeverisë i vendosi afat që deri më 15 mars t’i harmonizojë ligjet me Ligjin për pagën minimale që të mundet të gjitha pagat të rriten në mënyrë adekuate.
“Kërkojmë harmonizim të pagave në përputhje me marrëveshjet kolektive dhe pagave në sektorin publik. Sepse përfituesit më të mëdhenj të pagës minimale për momentin janë punonjësit e sektorit publik. Nëse janë 80 mijë përfitues të pagës minimale, ata që marrin pagën minimale dhe nën minimumin, sipas analizës sonë, 50 për qind ose rreth 40 mijë janë në sektorin publik. Me rritjen e pagës minimale, ajo përqindje në sektorin publik do të jetë mbi 60”, tha kryetari i KSL-së, i cili sot organizoi konferencën “Efektet e rritjes së pagës minimale në pagat e tjera”.
Ata vendosën të organizojnë konferencën dhe, përveç përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe ekspertëve të të drejtave të punës nga Organizata Ndërkombëtare e Punës nga Budapesti, ftuan autoritetet që të diskutojnë dhe të paraqesin argumentet e tyre. Por, siç tha Ralpovski, Qeveria dërgoi “vetëm një zyrtar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale për të thënë se në Maqedoni ka dialog”.
Orce Kocevski, kryetar i Sindikatës së Policisë, tha se paga minimale e përcaktuar në 18.000 denarë është për dy deri tre mijë denarë më e lartë se paga bazë e një nëpunësi policor.
“Punonjësi i policisë merr pagë bazë tre mijë më pak se kjo pagë që tani do ta japë Qeveria. Kjo është e turpshme, e trishtueshme dhe e mjerë. Ministri para vitit të ri mburrej se do ta rrisë rrogën 5 për qind në vitin 2022, ka muaj që është zhdukur dhe ndoshta ka në plan ta rrisë atë 5 për qind në dhjetor 2022 që të marrim pagën në 2023. Apelojmë Qeverinë dhe kryeministrin që ta dëgjojnë mesazhin e KSL-së sepse ministri Spasovski nuk ka dëgjuar fare për këtë temë”, tha Kocevski.
Llazer Jovevski, profesor në Fakultetin Juridik dhe ekspert për të drejtën e punës, theksoi se çelësi për rritjen graduale të pagave është te qeveria si partner social.

