KSI sot do të analizojë gjendjen epidemiologjike, situata me Covid po qetësohet

Shkup, 1 mars – Vazhdon trendi i zvogëlimit të numrit të rasteve aktive me Kovid-19, për shkak të së cilës kompetentët presin në periudhën e ardhshme të stabilizohet gjendja epidemiologjike në shtet. Sipas të dhënave të publikuara dje të Institutit për Shëndet Publik, në shtet aktive janë 3.496 raste, prej të cilave 1895 janë në Shkup.

Ministri i Shëndetësisë dje theksoi se shifrat e rasteve të reja çdo ditë ndiqen dhe tani gjendemi në fazën e qetësimit të valës së katërt. Në lidhje me këtë nëse në seancën e Komisionit për Sëmundje Infektive do të propozohet zvogëlim plotësues i masave, ai tha se së pari do të bëhet analizë e gjendjes epidemiologjike dhe kjo do të japë udhëzim në cilin drejtim të lëvizim.

“Skriningu serologjik do të na japë informacion shtesë se si të veprojmë. Gjithsesi, ne do të bëjmë analizë të gjendjes nga java e kaluar, dhe do të vendosim për javën e ardhshme në varësi të rezultateve të skriningut”, tha Sali në pyetjen e gazetarëve pas shënimit të Ditës së Sëmundjeve të Rralla.

Theksoi se për momentin nuk mund të thotë nëse do të ketë masa lehtësuese për heqjen e maskave të fëmijëve në shkolla, se si do të veprojnë në të ardhmen varet nga mbledhja e nesërme e Komisionit për Sëmundje Infektive. Beson se sipas rezultateve, nuk ka nevojë të vazhdohet skriningu te nxënësit, sepse përqindja e nxënësve të infektuar është shumë e vogël.

“Sipas rezultateve të deritanishme mendojmë se nuk ka nevojë të vazhdohet me skriningun, sepse e arritëm qëllimin. Kërkuam nga ky skrining të shikojmë se sa është përqindja e fëmijëve të sapoinfektuar, shikojmë se numri është shumë i vogël, 0,8%, ashtu që nuk ka nevojë për vazhdim të skriningut. Çdo ditë i ndjekim shifrat, ashtu që mendojmë se jemi në fazën e qetësimit të valës së katërt”, theksoi Sali.

Sipas të dhënave të publikuara dje nga Instituti për Shëndet Publik gjatë 1.362 testeve të bëra janë regjistruar 183 raste të reja me Kovid-19, nëntë persona kanë vdekur, ndërsa 845 janë shëruar. Numri i përgjithshëm i personave të diagnostifikuar me Kovid-19 në vend nga filimi i epidemisë arrin 297.262, numri i pacientëve të shëruar është 284.756, ndërsa i të vdekurve është 9.010.