KSI propozon lehtësime për personat që kanë kaluar Covid-in, certifikatat të vlejnë 6 muaj e jo 45 ditë!
Shkup, 8 shkurt – Në takimin e Komisionit për sëmundje infektive është propozuar që validiteti i certifikatave të personave, të cilët e kanë kaluar kovidin nga 45 ditë të bëhet 180 ditë (6 muaj).
Këto vërtetime shërbejnë për të shtyrë afatit të pacientëve, të cilët kanë qenë të sëmurë me virusin korona dhe mund të udhëtojnë jashtë shtetit apo të kenë qasje në hapësira të brendshme të shtetit tonë, pavarësisht se nuk kanë qenë të vaksinuar apo kanë marrë një ose dy doza të imunizimit.
Gjithashtu, Komisioni ka propozuar masa të stimulimit të vaksinimit me dozën përforcuese sepse dëshmitë tregojnë se personat me dozën e 3-të nuk mbarojnë me fataliteti nga varianti omicron.
Kreu i Komisionit për Sëmundje Infektive (KSI) , Aleksandar Petliçkovski deklaroi se institucioni që ai drejton në periudhën e ardhshme do të fokusohet në imunizimin e popullatës me dozën e tretë të vaksinës. Ai me këtë raste theksoi numrin e lartë të të vaksinuarve në Angli, që sipas tij kjo shifër arrin në 65 për qind, derisa tek ne vetëm 5 për qind.
“Për ne është e qartë se duhet të lëvizim drejt dozës së tretë. Nuk flasim për vaksinim sezonal, 4 milion doza, nuk flasim, flasim për dozën e tretë. Anglia të cilën shpesh e marrim si shembull, mbi 65 për qind e popullatës ka marr dozën e tretë. Tek ne ajo përqindje është 5 %. Këtu kemi zbrazëtirë dhe fokusi ynë është që atë zbrazëtirë ta plotësojmë. Në këtë drejtim do të orientohemi, që të stimulojmë, dhe të nxisim vaksinimin me dozën e tretë”, deklaroi Aleksandar Petliçkovski, kryetar i KSI-së.

