KSHZ: Deri në orën 9, pjesëmarrja në Mavrovë-Rostushë ishte 5,52 për qind, në Qendër Zhupë 5,69
Shkup, 20 gusht – Në komunën e Mavrovës-Rostushë deri në orën nëntë kanë dalë 549 votues ose dalja është 5,52 për qind, ndërsa në Qendër Zhupë kanë votuar 407 votues ose 5,69 për qind. Në Tetovë deri në orën nëntë kanë votuar 1755 votues nga 94 vendvotime të përpunuara, ndërsa pjesa tjetër e vendvotimeve janë në procesim.
Zëdhënësja e KSHZ-së, Lupka Gugutçevska, në konferencën e parë për media në Shkup informoi se të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë dhe se votimi është duke vazhduar, pa probleme.
Siç tha Gugutçevska, në KSHZ janë dorëzuar pesë ankesa për mbrojtjen e të drejtave zgjedhore dhe të gjithë pesë janë pranuar.
“Katër janë nga komuna e Qendër Zhupës dhe një nga komuna e Tetovës. Të gjitha pesë ankesat janë pranuar”, tha zëdhënësja e KSHZ-së.
Konferenca e radhës për media e KSHZ-së është paralajmëruar në ora 11:30, e cila do të mbahet në Tetovë, ku në terren janë anëtarët e KSHZ-së.

