KSHPK: Gjatë dhjetë viteve të kaluara janë bërë 32 intervenime në Kodin Zgjedhor
Shkup, 8 shkurt – Gjatë dhjetë viteve të kaluara janë bërë 32 intervenime në Kodin ekzistues Zgjedhor, prej të cilëve 14 janë për zbatim të reklamimit të partive, ndërsa interesante është ajo që për miratimin e asnjë ndryshimi nuk ishte organizuar debat publik.
Siç bëri të ditur në seancën e sotme, Katica Nikollovska, anëtare e KSHPK-së, edhe këtë vit zgjedhor ishin bërë ndryshime në Kodin Zgjedhor pak para vetë zgjedhjeve.
“Duke u nisur nga ndryshimi shumë i shpeshtë i Kodit Zgjedhor i cili ndodh pak para fillimit të procesit të zgjedhjeve, na nxiti të hetojmë çka është ajo dhe çka ndryshon në Kodin Zgjedhor”, theksoi Nikollovska.
Ajo konstatoi se prej kur është miratuar teksti themelor i këtij Kodi Zgjedhor që është në fuqi nga viti 2006, gjithsej 32 herë janë konstatuar intervenime, prej të cilëve 22 ndryshime janë ndryshime dhe plotësime të ligjit, katër ndryshime janë në bazë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese me të cilin hiqen dispozita të caktuara, dy herë ndryshimet kanë të bëjnë me prolongimin e afateve për mbajtjen e zgjedhjeve dhe katër herë janë vetëm korrigjime teknike nga anëtarë të caktuar.
Siç tha ai, dispozitat e fushatës zgjedhore kanë pësuar më së shumti ndryshime. “Rreth 14 herë i referohet reklamimit, financimit dhe raportimit, që nga njëra anë krijon pasiguri në veprimet e palëve të interesuara në procesin zgjedhor dhe publiku dyshon se partitë politike dhe ideologjitë politike kundërshtare kanë gjithmonë të njëjtin qëndrim dhe interesim i përbashkët kur ka mundësi që ndryshimet të sigurojnë burime të mjaftueshme të financimit për fushatën zgjedhore, pozitë më të mirë dhe rezultat pozitiv të zgjedhjeve”, shtoi Nikollovska.
Lidhur me kohën kur janë bërë ndryshimet dhe datën e zgjedhjeve, anëtarët e KSHPK-së kanë konstatuar se në dhjetë vitet e fundit ndryshimet janë bërë shumë shpejt, pak para vendimit për shpalljen e zgjedhjeve, dhe për këto zgjedhje të fundit lokale, janë bërë ndryshime 41 ditë pas miratimit të vendimit për shpalljen e zgjedhjeve nga kryetari i Kuvendit.
Kjo, siç shtoi Nikollovska, është në kundërshtim me rekomandimet e OSBE dhe ODIHR, të cilët vazhdimisht dërgojnë porosi ndryshimet në Kodin Zgjedhor të bëhen të paktën gjashtë muaj para fillimit të zgjedhjeve.
Gjithashtu, për të gjitha këto ndryshime gjatë dhjetë viteve të kaluara asnjëherë nuk është mbajtur debat publik sa i përket zgjidhjeve të ofruara.
KSHPK në mbledhjen e sotme e miratoi këtë raport për keqpërdorimet e konfirmuara në financimin e fushatës zgjedhore Zgjedhje Lokale 2021, dhe i njëjti do të dorëzohet në Kuvend.
Rekomandim i KSHPK-së është që kur të prezantohet raporti, trupat e punës në Kuvend të mendojnë për konstatimet serioze nga kjo analizë për ndryshimin permanent dhe plotësim të Kodit Zgjedhor.
“Çdo ditë bombardohemi me informacione se Kodi Zgjedhor po ndryshon sërish, pavarësisht se për çfarë flitet. Sëmundja jonë është të ndryshojmë vazhdimisht ligjet, t’i kalojmë shpejt dhe të bëjmë ndryshime ndërsa edhe më shpejtë dhe pastaj hapet një fushë për korrupsion politik, nga e cila varet dhe vazhdon në sistem. Është një mundësi e mirë që partitë politike në vend të mendojnë se a është moment i mirë për rishikim të plotë të ligjit, por jo për ndryshime të pjesshme”, shtoi Nikollovska.
Ajo porositi se i gjithë ligji të vendoset në tavolinë dhe të bëhet zgjidhje e cila do të mundësojë të paktën disa cikle zgjedhore të mos futen ndryshimet e reja.