Kryetari i Shqipërisë thërret për respektimin e shqipes në Maqedoni të Veriut dhe përfaqësim adekuat të shqiptarëve në sektorin publik

Shkup, 27 shkurt – medial.mk/ – Kryetari i Shqipërisë Bajram Begaj sot pas vizitës në Shkup dhe takimeve me përfaqësuesit e institucioneve të Maqedonisë së Veriut i ka ftuar mikpritësit në Shkup për respektim të përdorimit të gjuhës shqipe në vendin fqinjë dhe siç tha ai “sigurimin” e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve të vendit në institucionet publike.

“Shqipëria riafirmon qëndrimin e saj për respektimin e përdorimit të gjuhës shqipe dhe sigurimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucione – elementë thelbësorë për kohezionin shoqëror, stabilitetin institucional dhe perspektivën evropiane,” ka shkruajtur Begaj në llogarinë e tij X, pas takimit që pati me homologen maqedonase Gordana Siljanovska Davkova, transmeton medial.mk/.

Thirrja publike e Begaj-t vjen pas përplasjeve – ende në vazhdim – midis partive politike shqiptare në pushtet dhe opozitë me partitë maqedonase në pushtet lidhur me dhënien e provimit të jurisprudencës, për të cilin palët pushtetare maqedonase thonë se nuk mund të bëhet në gjuhën shqipe me ligjin aktual për gjuhët e për të cilin të kundërtën e thonë partitë shqiptare.

Para dhjetë ditësh partia opozitare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka dërguar në prokurori një padi ndaj ministrin maqedonas të drejtësisë për shkak të refuzimit nga ai për t’u lejuar studentëve shqiptarë të japin provimin e jurisprudencës në gjuhën amtare.

BDI thotë se Ministri i Drejtësisë Igor Filkov nga partia ZNAM po e shkel Kushtetutën dhe ligjin për gjuhët, dhe si i tillë ai duhet të akuzohet nga prokuroria, përfshirë edhe për shpërdorim të detyrës.

Leave a Reply